FBI kontrollon shtëpinë e një gazetareje të Washington Post

08:56 | 15 Janar 2026
FBI kontrollon shtëpinë e një gazetareje të Washington Post

Gazeta Washington Post raportoi të mërkurën se agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) kanë kontrolluar shtëpinë e njërës prej gazetareve të saj, Hannah Natanson, në Virxhinia.

Duke komentuar kontrollin, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, tha se ai ishte kryer me kërkesë të Departamentit të Luftës, të riemëruar së fundmi, por ende më i njohur si Departamenti i Mbrojtjes, shkruan DW.

“Gazetarja në fjalë po merrte dhe po raportonte informacione të klasifikuara dhe të rrjedhura në mënyrë të paligjshme nga një kontraktor i Pentagonit,” tha Bondi, duke shtuar se i dyshuari për rrjedhjen e informacionit “është aktualisht pas hekurave”.

Sipas saj, raste të tilla përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare. “Rrjedhje të këtij lloji përbëjnë një rrezik të madh për sigurinë kombëtare të Kombit tonë dhe për burrat dhe gratë e guximshme që po i shërbejnë vendit tonë,” deklaroi ajo.

Nga ana e saj, gazeta Washington Post tha se hetuesit i kishin bërë të ditur Natansonit se ajo nuk ishte objekt i hetimit. Në një postim në platformën X, gazeta shkroi se “hetuesit i kanë thënë qartë zonjës Natanson se ajo nuk është në qendër të hetimit”.

Sipas raportimit të gazetës, Natanson ishte e pranishme në banesën e saj në Virxhinia gjatë kontrollit, ndërsa agjentët e FBI-së shqyrtuan pajisjet e saj elektronike dhe sekuestruan një telefon dhe një orë inteligjente Garmin.

Hetimi, sipas Washington Post, lidhet me një çështje penale kundër një specialisti të teknologjisë që punonte për një kontraktor të qeverisë amerikane. Personi në fjalë u akuzua javën e kaluar për mbajtje të paligjshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare.

Natanson ka mbuluar gjerësisht përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për të pushuar nga puna ose për të shkarkuar mijëra punonjës federalë dhe për të zhvendosur administratën drejt zbatimit të axhendës së tij. Në një artikull të botuar në dhjetor, ajo përshkroi përvojën e saj personale duke raportuar mbi këtë proces, duke theksuar presionin e vazhdueshëm nga burime brenda administratës.

“Unë jam ‘pëshpëritësja e qeverisë federale’ e The Post. Ka qenë brutale,” shkroi ajo, duke shtuar se kishte marrë një numër jashtëzakonisht të madh thirrjesh dhe mesazhesh nga punonjës federalë të frustruar përballë ndryshimeve të thella institucionale, shkruan DW.

Ngjarja vjen në një kohë kur Departamenti i Drejtësisë ka rishikuar udhëzimet për mënyrën se si trajton rrjedhjet e informacionit drejt mediave. Në prill të vitit 2025, Bondi lëshoi udhëzime të reja që u japin prokurorëve autoritet për të përdorur thirrje gjyqësore, urdhra gjyqësorë dhe urdhër-kërkime kundër zyrtarëve që bëjnë “zbulime të paautorizuara” për gazetarët, duke përmbysur politikat e vendosura gjatë administratës së mëparshme.

Mbrojtësit e lirisë së shtypit kanë shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit. Jameel Jaffer, drejtor ekzekutiv i Institutit Knight për Amendamentin e Parë, paralajmëroi se praktika të tilla rrezikojnë të minojnë lirinë e medias.

“Kontrollet e redaksive dhe gazetarëve janë shenja dalluese të regjimeve joliberale dhe ne duhet të sigurohemi që këto praktika të mos normalizohen këtu,” tha ai.

Komento: