
Spitali i Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” Mitrovicë ka njoftuar se sot ka ndodhur një incident ku një infermiere dhe dy punëtorë të sigurimit fizik janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës.
“Sot, rreth orës 11:00, në Repartin e Ortopedisë të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri”, ka ndodhur një incident, ku një infermiere dhe dy punëtorë të sigurimit fizik janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrave të tyre të punës.”
Spitali njofton se “sulmi ka ndodhur teksa po siguronin respektimin e rregullave të hyrjes në repart dhe mospraninë e personave të paautorizuar”.
“Si pasojë e këtij incidenti, tre punëtorët e Spitalit kanë marrë trajtim emergjent mjekësor. Spitali dënon çdo formë të dhunës ndaj stafit shëndetësor dhe punëtorëve të sigurimit fizik, si dhe kërkon nga organet kompetente që rasti të trajtohet shpejt, në përputhje me ligjin.”