Bekë Berisha kryetar i KB Prishtinës, MKRS thotë se nuk mund të jetë edhe deputet edhe udhëheqës në klub

16:26 | 15 Janar 2026
Bekë Berisha kryetar i KB Prishtinës, MKRS thotë se nuk mund të jetë edhe deputet edhe udhëheqës në klub

Bekë Berisha është zgjedhur kryetar i KB Prishtinës.  Megjithatë, Ministria e Kulturës ka theksuar se Berisha nuk mund t’i ushtrojë edhe funksionin edeputetit, edhe atë të presidentit në klub.

Njoftimi:

Njoftim për publikun

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) është njoftuar për zhvillimet lidhur me zgjedhjen e z. Bekë Berisha në pozitë udhëheqëse në KB “Sigal Prishtina” në Kuvendin e klubit të mbajtur më 14 janar 2026.

Duke marrë parasysh se z. Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, MKRS rikujton detyrimin e të gjitha palëve të përcaktimeve të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit që parasheh që zyrtari i lartë, mund të jetë anëtar i organit drejtues të OJQ-ve nga fusha e sportit, por jo menaxher/ përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare (neni 13 i Ligjit Nr.06/L – 011) dhe bartës i funksionit drejtues (neni 14 i Ligjit Nr.06/L – 011 ), si dhe obligimin që çdo situatë e konfliktit të interesit të parandalohet e të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës (neni 8 i Ligjit Nr.06/L – 011).

Në këtë kontekst, MKRS kërkon nga të gjitha palët që të kujdesen për zbatimin e ligjit konkretisht që z. Berisha, pas betimit dhe marrjes së detyrës në legjislaturën e re, t’i ndërmarrë masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt të interesit, në përputhje me ligjin në fuqi. MKRS do të përcjellë situatën dhe do të bashkëpunojë me institucionet relevante, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të ruajtjes së integritetit në sport dhe respektimit të standardeve të qeverisjes së mirë.

MKRS përmes kanaleve të komunikimit zyrtar, do të kërkojë nga Federata e Basketbollit që, duke u bazuar në ligjin për sport dhe aktet nënligjore që rregullojnë qartë parimet e organizimit dhe të funksionimit të federatave dhe organizatave sportive, të sigurojë se në rastin e zgjedhjes se organeve drejtuese te KB “Sigal Prishtina”, janë zbatuar ose do të zbatohen të gjitha detyrimet që ndërlidhen me papajtueshmërinë e implikimeve ndër të tjera politike në menaxhimin e organizatave sportive si dhe të ruajtjes e garantimit të integritetit ligjor sportiv sipas normave ligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës, si kushte e kritere të detyrueshme për lejimin e ushtrimit zyrtar të veprimtarisë së sportit të basketbollit apo mirëmbajtjes së këtyre parimeve e rregullave, për qëllimin e njëjtë.

Komento: