I ikën tatimit, Dogana kap barna me vlerë rreth 49 mijë euro

11:56 | 16 Janar 2026
I ikën tatimit, Dogana kap barna me vlerë rreth 49 mijë euro

Zyra e Brendshme Doganore në Prishtinë, gjatë një kontrolli të një dërgese mallrash, ka konstatuar mospërputhje ndërmjet përshkrimit të deklaruar dhe gjendjes faktike të mallit, i cili ishte deklaruar si lëndë e parë për prodhim.

Gjatë ekzaminimit të detajuar, përfshirë kontrollin e origjinës, sasisë, formës së paraqitjes dhe karakteristikave të tjera, Dogana ka konstatuar se mallrat nuk përbëjnë lëndë të parë, por janë produkte farmaceutike të gatshme, të paketuara për shitje me pakicë.

“Me këtë veprim, është tentuar shmangia e pagesës së TVSH-së, si dhe nuk është paraqitur dokumentacioni shtesë përkatës, përfshirë certifikatën për import të produkteve farmaceutike të gatshme”, thuhet në njoftim,.

Sipas Doganës së Kosovës, vlera totale e mallrave arrin rreth 49 mijë euro.

“Ky rast përbën kundërvajtje doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkak të deklarimit të pasaktë të të dhënave doganore me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve fiskale”.

Komento: