Çun Lajçi i lyp bukë Albin Kurtit: I sugjeron ta përdorë kamxhikun ndaj atyre që po ia ‘pinë duhanin tinëz’

15:16 | 16 Janar 2026

Aktori Çun Lajçi, i njohur si militant i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj Albin Kurti ka shkruar një mesazh për këtë të fundit, duke e quajtur gjeni dhe pishë.

Por Lajçi i kërkon tani Kurtit të veprojë, ‘t’i kapë frerët dhe ta ushqejë popullin me bukë’.

Ai i thotë Kurtit se edhe disa të vetët ia kanë pirë duhanin tinëz dhe i sugjeron të përdorë ‘kamxhikun’.

Postimi i plotë:

Albin,

kapi frerët dhe kqyre popullin që po i han dhimbjet e veta!

Se ishin kundër teje – e pamë.

Që vazhdojnë me qenë kundër teje – po e shohim.

Që do të ecin përballë teje, tue të vu prita n’rrugë – kjo s’ka dyshim se ka me ndodhë.

Asgja e papame. Asgja e pazakontë.

Kur nji pishë rritet me hov e ia kalon majës së kërshit, myshqet ngjiten n’lëvoren e saj e përpiqen me e thanë.

Kështu ndodh edhe me njeriun që ka ma shumë se të tjerët në krye – mend, vizion dhe guxim për me e mbajtë qafën drejt.

S’po e them unë.

E ka thanë nji njeri i madh:

kur lind gjeniu, idiotët bashkohen, i dalin përpara e përpiqen me ia lakue rrugën.

Kjo ndodhi.

Kjo po ndodhë.

Dhe kjo ka me ndodhë edhe me ty.

Por tani asht koha tjetër.

Kapi frerët n’dorë.

Ata që t’kan dalë prej dore, ktheji n’vijë.

Mos e zbut zemrën ndaj njeriut tand që punon për xhepin e vet e jo për shtetin.

Të tillë ke mjaft n’oborrin e partisë tande e n’Kuvendin e Kosovës.

Ta kanë pi duhanin msheftas të gjithë ministrat, pa dallim, madje edhe shumë të tjerë.

T’kan mashtrue.

Mos u mashtro ma.

Hapi sytë tani kur duhet t’ia nisësh nga fillimi.

Se nuk mjafton veç mos me qenë hajnë.

Duhet me i njohë hajnat.

Duhet me pre egjrën.

Shëndetësia asht n’kollaps.

Kultura asht kalbë.

Arsimi ka zbritë deri te alfabeti.

Vetëm Ushtria ka mbetë sy shqiponjë!

Kapi frerët dhe kqyre popullin

që po i han dhimbjet e veta n’mungesë ilaçesh,

që n’mungesë lekësh po i numëron ditët e jo shpresat.

Gjithçka asht ba boll.

Tash s’na duhesh veç i pastër.

Na duhesh i fortë.

Jo me fjalë, se me fjalë u ngimë.

I fortë na duhësh, për me e këputë hajninë n’oborrin tand.

I fortë me i dhanë popullit bukë me hangër.

Se lirinë e gjetëm këtu. Do Adema na e sollën!

Por lirisë i duhet edhe bukë.

Edhe ujë.

Edhe pak krypë.

Edhe pak sheqer.

Liria pa bukë, Albin, asht veç fjalë.

E ti duhesh me e kujtue se si po jetojmë –

tue shpresue për nji të ardhme ma të mirë.

S’ka ma lavde, djalosh.

Kamxhiku asht për të gjithë ata që çojnë krye.

16.01.2026

Komento: