Zhvillime dramatike te KB Prishtina, Bekë Berisha jep dorëheqje nga pozita e kryetarit, Granit Rugova kandidat

19:26 | 17 Janar 2026
Zhvillime dramatike te KB Prishtina, Bekë Berisha jep dorëheqje nga pozita e kryetarit, Granit Rugova kandidat

Bekë Berisha nuk do të jetë më kryetar i Sigal Prishtinës.

Vendimi i tij vjen pas paralajmërimeve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila kishte theksuar se Berisha duhet të zgjedhë midis detyrës së deputetit dhe pozicionit si kryetar i klubit, për shkak të konfliktit të interesit.

Në javët e fundit, klubi ka qenë përballë pakënaqësive të tifo-grupit “Plisat”, të cilët kanë kërkuar ndryshime në menaxhimin e klubit, duke e akuzuar kryesinë për keqmenaxhim. Së fundmi, takimi me dyer të mbyllura mes “Plisave” dhe zyrtarëve të klubit ka vazhduar dhe pritet të emërohet një kryetar i përkohshëm.

Ndërkohë, Granit Rugova ka shprehur interes të hapur për të marrë drejtimin e klubit. Në një postim në rrjetet sociale, Rugova thekson:

“Sot ndjej obligim moral të marr përgjegjësi dhe ta shpreh haptas vullnetin tim për të pretenduar për poziten e kryetarit të klubit të zemrës. Jo për ambicie personale, por sepse besoj se kam njohuritë, përvojën dhe energjinë për ta menaxhuar mirë klubin dhe, bashkë me PLISAT, qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë dashamirët e klubit, ta cojme klubin aty ku e meriton.
Prishtina ka qenë pjesë e pa ndarshme e jetës time që nga pas lufta. Në këtë klub jam rritur si basketbollist, si sportist dhe si njeri. Kam përjetuar fitore, sfida dhe momente historike që më kanë mësuar çfarë do të thotë përgjegjësia ndaj fanellës dhe qytetit.
Pas karrierës si lojtar, vazhdova kontributin tim në udhëheqjen e sportit, në Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe më pas si Drejtor i Sportit në Komunën e Prishtinës. Kjo përvojë më ka dhënë një pamje të qartë se si duhet të udhëhiqet një klub i madh, me vizion, stabilitet dhe transparencë.
Prishtina nuk është thjesht klub sportiv. Është identitet i kryeqytetit. Është krenari qytetare. Kjo është thirrje për bashkim. Për punë të ndershme. Për vizion të qartë. Për PRISHTINË.
Kthimi në rrugën e fitoreve dhe kupave. Bashkë mundemi dhe do t’ja dalim.”

Komento: