Kurti për Skënderbeun: Personaliteti më i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, është në qendër të identitetit shqiptar

21:26 | 17 Janar 2026
Kurti për Skënderbeun: Personaliteti më i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, është në qendër të identitetit shqiptar

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Gjergj Kastriotin Skënderbeu është personaliteti më i rëndësishëm dhe më i njohur i historisë së shqiptarëve, duke e kujtuar atë në përvjetorin e vdekjes së tij.

Kurti, ka thënë se Skënderbeu ishte një strateg ushtarak dhe prijës politik ndër më të njohurit në Evropë.

‘’ Jehona e lavdive nga fitoret e arritura kundër osmanëve të pathyeshëm atë kohë, por edhe kundër serbëve në Ballkan e kundërshtarëve të Napolit në Itali, i dhanë Skënderbeut namin e një prej ushtarakëve më gjenial dhe prijësve më të paepur në Europë. Ndër shekuj pas vdekjes së tij, figura e Skënderbeut vazhdoi të frymëzonte njerëzit gjithandej kontinentit evropian, por veçmas arbërit, qoftë si arbëreshë në Itali, qoftë si shqiptarë pas pushtimit të plotë nga Perandoria Osmane’’, ka shkruar ai mes tjerash.

Postimi:

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është personaliteti më i rëndësishëm dhe më i njohur në tërë historinë e shqiptarëve, të të gjitha kohërave. Sot janë bërë 558 vite nga dita kur ai vdiq në Lezhë, i rrethuar nga bashkëluftëtarët dhe lavdia e fitoreve të tij. Më 17 janar 1468, Skënderbeu vdiq pas një çerekshekulli tejet intensiv që e kishte kaluar në krye të rezistencës kundërosmane dhe në përpjekje për të ndërtuar aleanca politike me fisnikët arbër dhe faktorë të tjerë politikë në regjion.

Pinjoll i dinastisë fisnike të Kastriotëve, Gjergji, djali i Gjonit dhe i Vojsavës, në shekullin e fundit të Mesjetës u ngrit nga një sinjor mes shumë të tillësh, në një strateg ushtarak dhe prijës politik ndër më të njohurit në Evropë. Nga viti 1443 kur ai u rebelua ndaj ushtrisë osmane dhe derisa vdiq më 1468, Skënderbeu i priu një qëndrese të gjerë kundër depërtimit të mëtutjeshëm të osmanëve në Evropë, duke i bashkuar shumë fisnikë në Kuvendin e Lezhës më 1444; duke krijuar aleancë me Mbretërinë e Napolit dhe Aragonës, si dhe duke ruajtur marrëdhënie të dendura diplomatike veçanërisht me Papatin në Romë, me Republikën e Raguzës në Dubrovnikun e sotëm dhe me Republikën e Venedikut në Itali.

Jehona e lavdive nga fitoret e arritura kundër osmanëve të pathyeshëm atë kohë, por edhe kundër serbëve në Ballkan e kundërshtarëve të Napolit në Itali, i dhanë Skënderbeut namin e një prej ushtarakëve më gjenial dhe prijësve më të paepur në Europë. Ndër shekuj pas vdekjes së tij, figura e Skënderbeut vazhdoi të frymëzonte njerëzit gjithandej kontinentit evropian, por veçmas arbërit, qoftë si arbëreshë në Itali, qoftë si shqiptarë pas pushtimit të plotë nga Perandoria Osmane.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u vendos nga rilindasit në shekullin e XIX si një nga shtyllat e kombformimit dhe shtetndërtimit te shqiptarët. Historia e tij asnjëherë nuk e ka humbur aktualitetin dhe as forcën për të inspiruar. Skënderbeu vazhdon të jetë edhe sot në qendër të identitetit kombëtar dhe historik shqiptar, si figurë përbashkuese për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë nëpër botë.

Lavdi ndër kohëra Gjergj Kastriotit, të mbiquajturit Skënderbe, heroit kombëtar të të gjitha epokave historike të shqiptarëve!

Komento: