Manipulimi i votave trazon skenën politike, kërkohen hetime dhe rinumërim i plotë

08:26 | 19 Janar 2026
manipulimi-i-votave-trazon-skenen-politike,-kerkohen-hetime-dhe-rinumerim-i-plote

Dyshimet për manipulim të votave kanë shkaktuar reagime të shumta nga partitë politike, zyrtarët institucionalë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët po kërkojnë transparencë të plotë, rinumërim të plotë të të gjitha votave dhe hetime nga organet e drejtësisë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se “vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo cenim i saj është i papranueshëm”, duke kërkuar që çdo parregullsi të trajtohet seriozisht.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se “vota nuk tjetërsohet”, duke kërkuar rinumërim të plotë për të garantuar vullnetin e qytetarëve.

“Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim. Dhe për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. ”, ka shkruar ai.

Edhe Ramush Haradinaj ka kërkuar rinumërim të të gjitha votave, duke deklaruar se “demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh”.

“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve,” shkruan ai.

Deputetja e zgjedhur e LDK-së Hykmete Bajrami ka kërkuar rinumërim në gjithë Kosovën dhe reagim të menjëhershëm institucional, duke theksuar se “drejtësia duhet të veprojë pa vonesë”.

Nga ana tjetër, Eugen Cakolli nga KDI ka ngritur alarmin për, siç e ka quajtur, “manipulim industrial të votave në disa komuna”, duke kërkuar që Prokuroria të nisë hetime urgjente.

Ndërkohë, edhe deputeti i zgjedhur Anton Quni i LDK-së, është distancuar nga çdo manipulim, duke deklaruar se “rritja e votave në emrin tim është kriminale”.

Reagim ka pasur edhe nga Driton Selmanaj, i cili pas humbjes së mbi 800 votave ka deklaruar se “rinumërimi i të gjitha kutive është i domosdoshëm”.

Në ndërkohë, Kryeprokurori i Prizrenit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetimet për dyshimet për manipulim të votave.

“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndrojë i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale,” tha Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nuk përjashtohet mundësia e rinumërimit në gjithë Kosovën, në varësi të gjetjeve gjatë procesit. Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 07:15 të ditës së sotme, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 556 vendvotime nga gjithsej 914, ndërsa procesi pritet të vazhdojë edhe gjatë ditës. Autoritetet kanë theksuar se çdo parregullsi do të trajtohet në përputhje me ligjin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor./Telegrafi/

Komento: