“Flaka e Janarit” vazhdon me ecjen tradicionale në nderim të të rënëve për liri në Gjilan dhe Kamenicë

08:56 | 19 Janar 2026
“flaka-e-janarit”-vazhdon-me-ecjen-tradicionale-ne-nderim-te-te-reneve-per-liri-ne-gjilan-dhe-kamenice

Manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, që organizohet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka vazhduar aktivitetet e tij me ecjen tradicionale në nderim të të rënëve për liri.

Ecja u organizua nga Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “Gjilani” nga Komuna e Gjilanit dhe Klubi Alpin “Dardanët” nga Komuna e Kamenicës, me mbështetjen e klubeve të tjera bjeshkatare dhe alpine nga trojet shqiptare. Në këtë aktivitet morën pjesë dhjetëra qytetarë dhe përfaqësues të shoqërive bjeshkatare, të cilët përmes ecjes nderuese dhe përkujtuese synuan ruajtjen e kujtesës dhe vlerësimin e sakrificës së heronjve të kombit.

Sipas organizatorëve, kjo ecje ka për qëllim t’u japë brezave të rinj mundësinë të kuptojnë rëndësinë e trashëgimisë, historisë dhe kulturës kombëtare, duke e cilësuar atë si një ecje përkujtimore “prej nga buron liria”.

Aktiviteti nisi me një fotografim të përbashkët te shtatorja e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në Gjilan, për të vazhduar drejt Kamenicës, ku pjesëmarrësit u bashkuan me grupe të tjera. Më pas, ecja vazhdoi drejt Kapisë në Sfircë, prej nga nisi marshimi deri te Kulla e Nuhi Berishës. Pas kthimit në Kapi, shtegu u vijua drejt Kullës së Rexhep Malës në Hogosht dhe më pas deri te Kulla e Kadri Zekës në Poliçkë, ku edhe u përmbyll ecja tradicionale.

Ky aktivitet u vlerësua si një nderim ndaj sakrificës së Heronjve të Kombit Kadri Zeka, vëllezërve Gërvalla, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Organizatorët kanë bërë të ditur se aktivitetet e “Flakës e Janarit” do të vazhdojnë më 24 janar, me organizimin e Tryezës Letrare “Pena e Flakës” nga ora 12:00, ndërsa në mbrëmje do të nis Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, i cili do të mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. /Telegrafi

Komento: