Jashari: Manipulimi i votave dënohet me burg deri në 5 vjet, para drejtësisë duhet të dalin edhe urdhërdhënësit

10:26 | 19 Janar 2026
jashari:-manipulimi-i-votave-denohet-me-burg-deri-ne-5-vjet,-para-drejtesise-duhet-te-dalin-edhe-urdherdhenesit

Manipulimi i rezultateve të votimit, për të cilin Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim deri në pesë vjet burgim, nuk mund të mbetet vetëm në nivelin e numëruesve të votave, por duhet të çojë para drejtësisë edhe urdhërdhënësit dhe porositësit e këtij procesi, tha avokati Arbër Jashari, pas mospërputhjeve të mëdha të zbuluara nga rinumërimi i votave në disa komuna, raporton Ekonomia Online.

Avokati Arbër Jashari për Ekonomia Online tha se kjo ka ngritur dyshime të bazuara për manipulim të madh të procesit të votimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ndërsa thekson se Prokuroria në Prizren ka autorizuar Policinë e Kosovës që të mbledhë informata dhe prova për të identifikuar përgjegjësit dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë.

“Nga rezultatet e rinumërimit po shihet që ka një diskrepancë ose një mospërputhje të madhe të rezultateve mes atyre të numërimit dhe tash të rinumërimit, që ka rezultuar me një minus të madh të votave për disa kandidatë dhe që sipas bindjes tonë me të drejtë opinioni dyshon për një manipulim të madh të procesit të votimit. Është marrë Prokuroria në rajonin e Prizrenit dhe ka autorizuar policinë që të mbledhë informatat fillestare dhe më pas të marrë aktvendim për fillim të hetimeve dhe të hetojë këtë çështje deri në fund. Është marrë që përgjegjësit për këto manipulime të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë”, tha ai.

Sipas Jasharit, përgjegjësia penale nuk duhet të kufizohet vetëm te komisionerët që kanë numëruar votat.

“Nuk është e mjaftueshme të dënohen vetëm ata persona të cilët i kanë manipuluar këto rezultate, kur them manipuluar, them ata që i kanë numëruar votat, por duhet që para drejtësisë të vihen edhe personat e tjerë që i kanë urdhëruar ose i kanë porositur këto rezultate. Duke marrë parasysh se komisionerët apo zyrtarët kanë punuar për interes të dikujt, është e palogjikshme që vetëm këta të merren pra përgjegjësisë penale”, tha ai.

Ai sqaroi se Kodi Penal i Kosovës, në nenin 216, parasheh dënim deri në pesë vjet burgim për falsifikimin e rezultateve të votimit, duke shtuar se hetimet duhet të shtrihen edhe ndaj personave që kanë urdhëruar apo porositur manipulimet.

“Ligji për këtë vepër penale ka paraparë dënim deri në 5 vite burgim, është neni 216 i Kodit Penal të Kosovës, i cili parasheh falsifikimin e rezultateve të votimit si vepër të veçantë penale. Mendoj që hetimet duhet të shtrihen edhe ndaj personave të cilët kanë porositur apo urdhëruar këto rezultate, mbetet në detyrën e Prokurorisë që t’i gjejnë mënyrat se si. Mendoj që edhe për personat të cilët janë urdhëruesit e këtyre manipulimeve ka elemente të mjaftueshme për veprën penale, shtytjen në vepër penale të falsifikimeve të rezultateve të votimit. Pra njëra prej formave të bashkëkryerjes së veprës penale ose ndonjë vepër penale siç është dhënia ose marrja e ryshfetit ose ndonjë vepër tjetër penale varësisht nga të gjeturat e Prokurorisë”, tha ai për EO.

Prokuroria në Prizren është vënë  në lëvizje pas dyshimeve për manipulim të votave në këtë komunë. Manipulim të votave ka pasur edhe në komuna të tjera. Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu ka bërë të ditur se ka autorizuar Policinë e Kosovës për të identifikuar personat përgjegjës, të sigurojë prova duke përfshirë edhe nënshkrimet e tyre.

Rinumërimi i votave ka nxjerrë një model manipulimi që është përdorur në të gjitha komunat: në Prizren më së shumti kanë përfituar kandidatët e Prizrenit, në Kaçanik ata të Kaçanikut e në Podujevë kandidatët e po kësaj komune. Mospërputhjet janë shënuar brenda listave zgjedhore dhe jo te votat e partive. E, një kandidat ka humbur ulësen në Kuvend, të cilën e pati fituar bazuar në rezultatet e para.

Rinumërimi i deritanishëm i votave ka prodhuar ndryshime në përbërjen e Kuvendit. Jashtë tij ka mbetur ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal dhe kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka. Pas rinumërimit, Damkës i janë hequr 88 vota, duke ia humbur mandatin. Vendin e tij e ka zënë kandidati i katërt në listën e KDTP-së, Ergyl Mazrek, i cili tani ka 90 vota më shumë sesa Damka.

Megjithatë, dallimet brenda KDTP-së janë minimale krahasuar me ato që janë evidentuar te tri partitë më të mëdha parlamentare. Deri tani rinumërimi nuk ka nxjerrë mospërputhje në votat e partive, por vetëm te votat e kandidatëve brenda listave.

Prizreni del komuna me mospërputhjet më të mëdha. Me rinumërimin e 98 për qind të kutive, rezulton se kandidatëve të PDK-së u janë shtuar rreth 19 mijë vota që nuk i kanë marrë nga qytetarët. Te LDK-ja dallimi është rreth 4 mijë e 500, ndërsa te Vetëvendosje mbi 3 mijë e 100.  Deri në orën 8 të së hënës janë rinumëruar 556 nga 914 vendvotime.

Komento: