
Në fshatin Nagavc të komunës së Rahovecit ndodhet një lis shumëvjeçar, i njohur nga banorët si “Lisi i Mujës”, i cili mbart një histori të veçantë dhe është futur në listën e objekteve nën mbrojtje nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që nga viti 2016.

Në pamje të parë, ky lis mund të duket i zakonshëm, por sipas banorëve të fshatit, ai është shumë i vjetër dhe nuk mbahet mend as nga paraardhësit e tyre. Ata kanë treguar për Telegrafin se ndër vite lisi është shfrytëzuar edhe si pikë ndalese nga kalimtarë të shumtë, për shkak të kuriozitetit dhe veçantisë që ka.

Megjithatë, “Lisi i Mujës” ka nisur të dëmtohet si pasojë e proceseve natyrore, ndërsa një degë e tij tashmë është thyer. Banorët shprehin shqetësim se mungesa e mirëmbajtjes po e kthen këtë monument natyror në rrezik për fshatin. Sipas banorit të Nagavcit, Sadat Gashi, lisi nuk është mirëmbajtur prej vitesh, ndonëse ndodhet nën mbrojtjen e Ministrisë së Kulturës.

Ai thekson se një nga degët e lisit gjendet mbi telat e rrymës elektrike dhe ekziston rreziku që të shembet në çdo moment, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke rrezikuar dhjetëra shtëpi të fshatit. Po ashtu, një pjesë e degëve shtrihen mbi rrugën kryesore të fshatit Nagavc, çka paraqet rrezik serioz për lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të ruhet kjo vlerë natyrore, por njëkohësisht të garantohet siguria e qytetarëve. /Telegrafi/