Gabimi i madh i Luis Enriques te PSG-ja

13:01 | 22 Janar 2026

Luis Enrique ka marrë një vendim kyç disa muaj më parë që sot po rëndon ndjeshëm mbi Paris Saint-Germain, si në kampionatin francez ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

Humbja 2-1 ndaj Sporting Lisbonës në xhiron e parafundit të fazës së ligës ka rikthyer dyshime serioze mbi projektin parisien dhe ka vështirësuar ndjeshëm kualifikimin direkt në fazën e 1/8-ve.

Ky rezultat e detyron PSG-në të luajë gjithçka në ndeshjen e fundit ndaj Newcastle, në një atmosferë presioni maksimal.

Paraqitja ndaj Sportingut tregoi mungesë stabiliteti, humbje kontrolli në momente vendimtare dhe gabime që u ndëshkuan shtrenjtë.

Për më tepër, skuadra nuk varet më vetëm nga vetja për të qenë mes tetë më të mirave, çka ka hapur sërish debate të forta brenda dhe jashtë klubit.

Në qendër të kritikave është vendosur portieri Lucas Chevalier, i transferuar verën e kaluar për 40 milionë euro.

Performanca e tij ka ngritur pikëpyetje për mungesë autoriteti dhe pasiguri në ndeshje të nivelit të lartë.

Edhe pse konsiderohet një investim për të ardhmen, Liga e Kampionëve po rezulton një skenë tepër e rëndë për një portier ende në fazë konsolidimi, ku çdo gabim amplifikohet.

Debati bëhet edhe më i ashpër duke kujtuar largimin e Gianluigi Donnarummas, i cili u përjashtua nga projekti dhe më pas iu bashkua Manchester Cityt.

Vendimi i Luis Enrique për t’ia besuar portën Chevalierit, në vend të një portieri të provuar në nivelet më të larta, po shihet gjerësisht si një gabim strategjik.

Përballja vendimtare me Newcastle nuk do të përcaktojë vetëm fatin evropian të PSG-së, por edhe drejtimin e diskutimit mbi menaxhimin e skuadrës dhe zgjedhjet e trajnerit spanjoll.

Komento: