
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në takim Koordinatoren Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula dhe Menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari.
Takimi u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Prizrenit dhe temë e diskutimeve ishte zhvillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet në regjionin e komunës së Prizrenit.
Sipas njoftimit për media, mësohet se kryeprokurori i Prizrenit i ka informuar të pranishmit se “pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajonin e komunës së Prizrenit, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, ka filluar grumbullimi i informatave të nevojshme sigurimi i provave relevante, që të vërtetohet kryerja e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Kosovës, si dhe vazhdimin e procesit të hetimit në drejtim të mbledhjes së provave dhe sigurimit të dëshmive të nevojshme.