
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka vlerësuar të rëndësishëm skanerin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë dhuruar Kosovës, e ku u inauguruan përmes një ceremonie në pikë kufitare në Merdare, e për çka tha se kjo jo vetëm që do të rrisë sigurinë ndërkufitare, por është dhe një dëshmi e partneritetit të fuqishëm mes Kosovës dhe SHBA-së.
Svecla tha se sigurimi i kufirit përbën një shtyllë themelore të sigurisë kombëtare.
“Ruajtja e sigurisë mbetet një nga prioritetet kyçe të institucioneve të Republikës së Kosovës në funksion të ruajtjes së rendit dhe ligjit, mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, dhe garantimit të sigurisë për të gjithë qytetarët. Sigurimi i kufirit përbën një shtyllë themelore të sigurisë kombëtare dhe funksionimit të plotë të shtetit ligjor. Investimet në teknologji moderne, infrastrukturë dhe burime njerëzore janë elemente kyçe për një menaxhim efektiv dhe të qëndrueshëm të kufirit. Në këtë drejtim, jam shumë i lumtur që në pikën kufitare në Merdare po inaugurojmë skanerin RAPI Scan, i cili vjen si donacion nga SHBA. Ky donacion përbën jo vetëm një avancim të rëndësishëm teknologjik, por edhe një dëshmi konkrete të partneritetit të fuqishëm dhe të qëndrueshëm mes Kosovës dhe SHBA-së”, u shpreh Sveçla.
Sveçla nënvizon edhe se këta skaner do të mundësojnë kontrolle më të avancuara dhe më të besueshme të kufirit dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e luftës kundër veprimtarive të paligjshme.
“Kapacitetet e reja, si ky skaner, rrisin ndjeshëm aftësinë e institucioneve për parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin efektiv të kërcënimeve ndërkufitare. Ato mundësojnë kontroll më të avancuar dhe më të besueshëm të kufirit, reagim të shpejtë në situata të ndjeshme dhe ndërhyrje të koordinuar në përputhje të plotë me ligjin dhe standardet ndërkombëtare të sigurisë. Kjo mbështetje për institucionet tona do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e luftës kundër veprimtarive të paligjshme, si kontrabanda me mallra, armë, narkotikë dhe qenieve njerëzore që cenojnë sigurinë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve tanë, duke kontribuar edhe në stabilitetin rajonal dhe më gjerë”, theksoi Sveçla.