YIHR KS: Ligjërata rreth Speciales u mbajt me lejen e shkollës

14:26 | 23 Janar 2026
yihr-ks:-ligjerata-rreth-speciales-u-mbajt-me-lejen-e-shkolles

Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR KS) ka sqaruar se sesioni informues i mbajtur së fundmi në Gjimnazin “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor dhe është pjesë e programit të tyre për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën.

Sipas YIHR KS, sesione të tilla zhvillohen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, dhe në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjatë aktivitetit, nxënësve iu prezantua informacion bazik dhe publik mbi mandatin dhe kompetencat e Dhomave të Specializuara, si institucion i Republikës së Kosovës.

Organizata thekson se, që nga themelimi mbi 20 vite më parë, ka zhvilluar aktivitetet e saj të vazhdueshme për të drejtat e njeriut, ballafaqimin me të kaluarën dhe fuqizimin e të rinjve në Kosovë. YIHR KS riafirmon se sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit të saj afatgjatë për promovimin e drejtësisë tranzicionale, dhe se do të vazhdojë aktivitetin në këtë fushë.

Kurse Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se nuk ka pasur leje e as koordinim për këtë ligjëratë, teksa shtoi se nuk duhet të ndodhin pa marrëveshje ndërinstitucionale.

Ndërkohë, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka konfirmuar për RTK se aktivitetet që kjo gjykatë zhvillon në Kosovë në kuadër të Programit të Outreach-it kanë karakter informues dhe nuk përbëjnë ligjërata.

Komento: