
Flutura nga Prishtina nuk e kishte imagjinuar kurrë se jeta e vajzës së saj do të merrte një rrugë aq të rrezikshme.
Për vite me radhë, gjithçka dukej normale – një vajzë e re që shkonte në shkollë, bisedonte me shoqet, ëndërronte për të ardhmen. Por brenda saj, diçka po ndryshonte ngadalë dhe fshehurazi.
Vajza filloi të përdorte substanca narkotike në moshën 16-vjeçare… dhe Flutura nuk e kuptoi menjëherë.
“Momenti kur e kuptova ka qenë sikur të ma nxirrnin zemrën nga vendi”, kujton ajo për Radion Evropa e Lirë.
Flutura përpiqej ta këshillonte vajzën, por ndjehej e pafuqishme. “Vetë kam vuajtur si kafshë”, thotë ajo.
Vajza e kishte fshehur mirë përdorimin e drogës – me gënjeshtra që i bënin prindërit t’i humbnin gjurmët. Ditët kalonin, dhe Flutura filloi të kuptonte se diçka nuk shkonte siç duhej. Vetëm kur vajza mbushi 18 vjet, e vërteta shpërtheu para saj.
“Kemi biseduar shumë. Është një histori e gjatë në familjen tonë”, thotë ajo, pa dashur ta kujtojë shumë atë kohë.
Vajza e saj, tani në mes të 20-tave, kishte ndërprerë përdorimin e drogës për një periudhë, por më pas e rifilloi.
“Kemi besuar se ishte vetëdijesuar, kishte filluar të mësonte, të punonte dhe të ndërtonte jetën e vet. Por, më vonë, për të përballuar dy punë – siç na thoshte – ajo nisi të përdorte kokainë, duke humbur gjithçka që kishte krijuar”, rrëfen Flutura.
Sipas saj, një nga faktorët kryesorë që e shtynë fëmijën në këtë rrugë, ishte ndikimi i shoqërisë.
“Ajo u njoh me një shok që kishte filluar të konsumonte drogë që nga mosha 10-vjeçare. Ky shok ndikoi shumë në jetën e saj, duke e kushtëzuar dhe kontrolluar në mënyrë të dukshme. Për vite me radhë, jeta e fëmijës sonë ishte në duart e tij”, thotë kjo nënë teksa sheh vajzën në gjendje të rënduar.
Historia e Fluturës nuk është një rast i izoluar.
Sot, edhe fëmijë të moshës 10-15 vjeç bien pre e përdorimit të substancave narkotike.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Faton Kutllovci, tregon se, më herët, nuk ka pasur përhapje të madhe të përdorimit të drogës te të rinjtë.
Sipas një vlerësimi institucional, mosha mesatare e përdoruesve të drogës në Kosovë është rreth 16 vjeç – një rënie nga 21.4 vjeç që ishte më herët.
“Ne kemi trajtuar fëmijë edhe nga 9-10 vjeç, për të cilët prindërit kanë kërkuar ndihmë”, thotë Kutllovci për REL-in.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Klinika e Fëmijëve dhe Adoleshentëve në Psikiatri pranoi 28 raste të fëmijëve për trajtim.
Nga këta, shumica ishin djem – përdorues të marihuanës, ndërsa dy raste edhe të kokainës.
Doktoreshë Adelina Ahmeti Pronaj thotë se shumë prej tyre janë ende në trajtim.
“Prindërit vijnë te ne shumë të shqetësuar, pas sjelljeve jo të zakonshme që vërejnë te fëmijët e tyre”, shpjegon ajo.
Sipas të dhënave që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Klinika e Psikiatrisë në QKUK, Ministria e Punëve të Brendshme dhe organizatat joqeveritare, numri i përdoruesve të drogave në Kosovë sillet në rreth 40 mijë.
Vitin e kaluar, në Psikiatri u dhanë mbi 30 mijë shërbime të ndryshme, ndërsa u regjistruan mbi 150 raste të reja “si persona që kanë përdorur substanca narkotike ose kanë pasur sëmundje të varësisë”.
Kutllovci paralajmëron se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta.
“Dukuria po shtrihet edhe në fshatra, ku më parë nuk kishte përdorim. Disa nga këto zona, madje, shërbejnë si pika distribuimi për drogë në vende të tjera”, thotë ai.
Kutllovci identifikon faktorët socialë, problemet familjare dhe mungesën e perspektivës si arsyet kryesore të rritjes së përdorimit të drogës te të rinjtë.
Kanabisi mbetet droga më e përhapur, por ka rritje të përdorimit edhe të kokainës dhe medikamenteve pa recetë.
Safet Blakaj, nga Qendra për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labirint” në Kosovë, shpjegon më shumë:
“Kanabisi është i përhapur në gjithë territorin. Neve na shqetëson tani përdorimi i kokainës, për arsye se ka shënuar rritje të shpejtë në vitet e fundit”.
Sipas Blakajt, mosha e përdoruesve ka rënë dukshëm dhe “14-17-vjeçarët janë më të rrezikuarit”.
“Në organizatën tonë trajtohen përdoruesit e moshave 14,15,16,17 vjeç… Moshat më të ulëta i kemi hasur në terren, janë evidente, por nuk janë në programet tona”, thotë Blakaj.
Raportet e organizatave joqeveritare tregojnë se përdorimi i drogës është më i përhapur në Prishtinë, pastaj Pejë, Gjakovë, Ferizaj.
Në këto qytete, rritja e rasteve të raportuara te të rinjtë po bëhet një shqetësim gjithnjë e më serioz.
Mjekët e Spitalit të Gjakovës thonë se dita-ditës po rritet numri i personave që kërkojnë ndihmë.
“Fatkeqësisht, edhe të rinjtë kanë filluar të përdorin substanca narkotike, kryesisht marihuanë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zef Komoni, udhëheqës i Departamentit të Psikiatrisë në Spitalin e Gjakovës.
“Nuk mund të flasim saktë për shifra, sepse shumica nuk kërkojnë ndihmë derisa problemi të bëhet i madh. Por, nga konfiskimet e policisë dhe të dhënat që i kemi, duket qartë se numri po rritet – jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në shkollat fillore, si dhe në fshatra”, shpjegon Komoni.
Aktualisht, rreth 40 persona të moshave të ndryshme që përdorin substanca narkotike, marrin trajtim të përditshëm me metadon në spitalin e Gjakovës.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, në këtë qytet u identifikuan 25 raste të reja të përdoruesve të drogës.
“Përdorimi më i madh i marihuanës shihet në Gjakovë, për shkak të pozicionit gjeografik dhe faktit se qyteti shërben si pikë transiti për furnizim me marihuanë për të gjithë Kosovën”, shton Komoni.
Edhe në spitalin e përgjithshëm në Pejë, aktualisht, janë duke u trajtuar 25-30 pacientë për përdorim të drogave.
Sipas zyrtarëve atje, numri i tyre ka mbetur i njëjtë që nga viti 2024 – pa ndonjë rritje të theksuar.
Në Ferizaj, situata duket ndryshe: ka raportime për përdorues drogash, por asnjë rast nuk është duke u trajtuar në spital.
“Për vite të tëra nuk kemi pasur raste që kërkojnë trajtim në spitalin tonë”, thotë Minire Beqiri, drejtoreshë e institucionit.
Në Gjilan, po ashtu, rastet janë në rritje, ndërsa në Mitrovicë të Jugut, vitin e kaluar, u regjistruan dhjetëra raste të pacientëve që kërkuan ndihmë mjekësore, si pasojë e abuzimit me substanca psikoaktive.
“Bazuar në vëzhgimet klinike dhe në krahasimin e rasteve të paraqitura në vitet e fundit, vërehet një tendencë e lehtë deri e moderuar e rritjes së numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim për çrregullime të lidhura me përdorimin e substancave psikoaktive”, tha për Radion Evropa e Lirë Gëzim Shabani, specialist i Psikiatrisë në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë të Jugut.
Sipas drejtorëve të disa spitaleve të përgjithshme në Kosovë, me të cilët bisedoi REL-i, rastet më të rënda referohen kryesisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të specializuar.
Klinikat psikiatrike ofrojnë seanca psikiatrike dhe psikologjike, teste, psikoterapi individuale dhe grupore dhe këshillim për prindërit.
Qendrat si “Labirinit” ofrojnë, po ashtu, shërbime të ngjashme për mijëra persona në vit.
Por, sipas Kutllovcit, mungesa e një qendre kombëtare për trajtimin e drogës e bën situatën të vështirë.
“Ne nuk kemi institucion që të ofrojë trajtim fillestar, rehabilitim dhe kujdes pas trajtimit. Aktualisht, kjo nuk po ndodh”, thotë ai.
Ministria e Shëndetësisë konfirmon për Radion Evropa e Lirë se Strategjia Shtetërore Kundër Drogave 2024-2028 është në zbatim e sipër dhe se përfshin aktivitete për fëmijët dhe Udhëzimin Administrativ për mbrojtjen nga abuzimi me narkotikë.
“Strategjia parasheh nevojën për ngritje të përgjithshme të kapaciteteve institucionale, qoftë për hetimin dhe luftimin e dukurisë së drogës, trajtimin adekuat të personave që përdorin drogë dhe të personave me çrregullime të përdorimit të substancave, si dhe rritjen e bashkëpunimit në mes të institucioneve, veçanërisht nevojën për të dhëna specifike në këtë fushë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, strategjitë e parandalimit të abuzimeve duhet të bazohen në prova shkencore dhe t’i kenë në shënjestër familjet, shkollat dhe komunitetet, sidomos ato që janë më të margjinalizuara dhe më të varfra.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se çdo vit organizojnë aktivitete edukative dhe shëndetësore për të adresuar dukuri si: varësia nga droga, përdorimi i duhanit dhe alkoolit.
Këto aktivitete përfshijnë shpërndarjen e materialeve edukative dhe nxitjen e vetëdijesimit për shëndetin te nxënësit dhe komuniteti.
Me Kodin Penal të Kosovës, blerja, posedimi dhe shpërndarja e substancave narkotike është e ndaluar dhe dënohet me gjobë ose burgim, në varësi të sasive dhe llojit të substancës.
Por, për shkak të numrit të madh të përdoruesve, “duket sikur marihuana në praktikë është e legalizuar”, thotë Blakaj.
Në raportimet ditore të Policisë së Kosovës ka shpesh njoftime për konfiskim të substancave narkotike – vetëm këtë javë u konfiskuan mbi 80 kg dhe u arrestuan tre persona.
Për nënat si Flutura, çdo lajm për drogën tani shndërrohet në një alarm që nuk mund të ndalet dot.
“Ajo ka humbur gjithë pasurinë”, përfundon Flutura.