
Klubi i madh turk, Fenerbahce, po konsideron transferimin e yllit të kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, nga Hoffenheimi.
Fenerbahce ka bërë shumë lëvizje gjatë këtij afati kalimtar, duke afruar futbollistë të shquar nga Evropa, me synimin për ta rikthyer titullin kampion pas shumë vitesh.
Megjithatë, klubi turk ka shënuar edhe largime të rëndësishme, përfshirë atë të Youssef En-Nesyri, i cili pritet të zyrtarizohet te Juventusi. Si pasojë, drejtuesit e klubit nga Stambolli kanë filluar të shqyrtojnë alternativa për të përforcuar sulmin me një zëvendësues të marokenit.
Sipas mediumit turk Sozcu, Fenerbahce po shqyrton transferimin e sulmuesit kosovar të Hoffenheimit, Fisnik Asllani.

Asllani po përjeton një super-formë këtë edicion, pasi ka shënuar 7 gola dhe 5 asistime në 19 ndeshje në të gjitha garat, duke u bërë një emër i lakuar për shumë klube evropiane.

Sulmuesi 23-vjeçar i Dardanëve ka një çmim prej 30 milionë eurosh, ndërsa së fundmi është lidhur edhe me një transferim te Barcelona, Borussia Dortmundi dhe Juventusi.