Policia sërish gjen armë e municion në një shtëpi të braktisur, kësaj radhe në Zubin-Potok

18:26 | 24 Janar 2026
policia-serish-gjen-arme-e-municion-ne-nje-shtepi-te-braktisur,-kesaj-radhe-ne-zubin-potok

Sot, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në rajonin e veriut, policia ka pranuar informacione se në një shtëpi të braktisur në fshatin Jagnjenicë, komuna e Zubin Potokut, dyshohej se mund të gjendeshin armë, municion si dhe eksploziv.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacionin e dyshuar, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar:

1 pushkë e tipit M48,

244 fishekë të kalibrave të ndryshëm,

2 karikatorë të zbrazët, si dhe

1 sasi eksplozivi.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Njësia për Trajtimin e Eksplozivit(EOD), që ka tërhequr eksplozivin në mënyrë të sigurt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar llojin e saktë të eksplozivit.

Sipas policisë, Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Ky është rasti i dytë për sot që policia gjen armë e municion në veri. Pak orë më parë, armë e municion u gjeten në një shtëpi të braktisur në Zveçan.

Komento: