Dyshime për manipulim të zgjedhjeve lokale në Ferizaj, 33 ish-kandidatë për asamble kërkojnë rinumërim

13:56 | 26 Janar 2026
dyshime-per-manipulim-te-zgjedhjeve-lokale-ne-ferizaj,-33-ish-kandidate-per-asamble-kerkojne-rinumerim

Kandidati i pavarur për Kuvendin Komunal të Ferizajt, Bashkim Fazliu, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesa në Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar zgjerim të hetimeve dhe masa të jashtëzakonshme verifikuese lidhur me procesin zgjedhor, përfshirë edhe rinumërimin e votave.

Fazliu deklaroi se në Prokurori janë dorëzuar emrat e 33 ish-kandidatëve për asamble komunale nga Ferizaj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ndërsa paralajmëroi se së shpejti pritet të dorëzohen edhe emra nga komuna të tjera. Ai tha se kërkesa në Prokurori ka të bëjë me zgjerimin e hetimeve që tashmë janë duke u zhvilluar për 28 dhjetorin, duke theksuar se bëhet fjalë për të njëjtët komisionerë zgjedhorë dhe për shkelje të natyrës së njëjtë.

Sipas tij, ekziston dyshim i bazuar se komisionerët që dyshohet se kanë kryer shkelje më 28 dhjetor, mund të kenë keqpërdorur vullnetin e qytetarëve edhe në zgjedhjet e 12 tetorit. Paralelisht, Fazliu njoftoi se i është drejtuar edhe KQZ-së me kërkesë për ndërmarrjen e masave të jashtëzakonshme verifikuese, pas, siç tha ai, daljes në pah të provave të reja për keqpërdorime dhe manipulime. Ai theksoi se njëra nga kërkesat kryesore është rinumërimi i votave.

“Në zgjedhje lokale edhe një votë e bën diferencën. Nëse pas rinumërimit rezultati mbetet i njëjtë, atëherë mirë, por nëse ndryshon, do të kërkojmë anulimin e procesit”, deklaroi Fazliu.

Ai ngriti gjithashtu dyshime lidhur me asgjësimin e fletëvotimeve, duke thënë se nuk ka hasur në asnjë njoftim zyrtar nga KQZ për këtë çështje.

“Kam hulumtuar faqen e KQZ-së dhe nuk kam gjetur asnjë njoftim zyrtar për asgjësimin e fletëvotimeve. Kam dëgjuar se janë asgjësuar, por mungon një konfirmim zyrtar”, tha Fazliu. /Telegrafi/

Komento: