Dosja ndaj ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, shporta 12 euro iu shit ministrisë për 220 euro, një ulëse u pagua 650 euro

15:26 | 27 Janar 2026
dosja-ndaj-ndaj-zyrtareve-te-ministrise-se-arsimit,-shporta-12-euro-iu-shit-ministrise-per-220-euro,-nje-ulese-u-pagua-650-euro

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur në dhjetor të vitit të kaluar aktakuzë ndaj 15 personave, 12 persona fizikë (zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe pronar të kompanive) dhe tre persona juridikë, në lidhje me dallavere në procedura të tenderimit.

Sipas aktakuzës, në procedurën e prokurimit “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, zyrtarë të MASHTI-i akuzohen se kishin vepruar kundërligjshëm duke kontraktuar produkte që çmimin në treg e kishin shumë më të ulët sesa që Ministria i kishte paguar gjatë viteve 2019-2021.

Dyshohet se janë paguar produkte deri në 1900% më shtrenjtë se çmimet reale të tregut.

Detaje nga aktakuza

Një aktakuzë voluminoze e Prokurorisë Speciale zbërthen një skemë të organizuar korrupsioni brenda Ministrisë së Arsimit. Përmes tenderëve të kurdisur, dokumenteve të falsifikuara dhe pranimit të rremë të pajisjeve, buxheti i shtetit u dëmtua për afro 6 milionë euro. Pajisje kineze u faturuan si evropiane, me çmime deri në 1900% më të larta se tregu.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2025, zyrtarët e MAShT-it, në bashkëpunim me pronarët e kompanive “A & F Projekt”, “Fabrika e Mobileve Standard” dhe “Shkëmbi-Gllarevë”, kanë manipuluar proceset e prokurimit gjatë viteve 2021-2024.

Shporta me Çmim 1,730% më të Lartë
Diferenca më flagrante është vërejtur te blerja e shportave të vogla për klasë. Sipas dokumenteve, çmimi real i blerjes për një shportë ka qenë 12 euro, ndërsa i njëjti artikull i është shitur MASHT-it me çmimin prej 220 euro.

Kjo paraqet një rritje prej 208 eurosh për njësi, ose një fryrje çmimi prej 1,730%.

Në kontratën e periudhës 2019-2021, kompania ka dorëzuar 1,159 shporta. Llogaritjet e hetuesisë tregojnë se:

Shuma totale e blerjes (vlera reale): 13,908.00 Euro
Shuma totale e paguar nga MASHT: 254,980.00 Euro
Diferenca (dëmi i shkaktuar): 241,072.00 Euro
Për më tepër, hetimi ka konfirmuar përmes Dokumentit Unik Doganor se shportat ishin me origjinë nga Turqia, në kundërshtim me kushtet e kontratës që kërkonin produkte me origjinë nga Bashkimi Evropian.

Ulëse Oborri me çmim katërfish më të lart
Një tjetër artikull me diferencë enorme çmimi janë ulëset e oborrit. Në kontratën e vitit 2020, çmimi i një ulëseje ishte rritur nga 450 euro (në vitin 2019) në 650 euro.

Sipas analizave të tregut, vlera reale e blerjes për një ulëse të tillë ishte vetëm 149 euro. Kjo do të thotë se për çdo ulëse, MASHT ka paguar 501 euro më shumë.

“Sipas analizave dhe krahasimeve lidhur me blerjet sipas çmimit të tregut dhe çmimit të shitjes, një ulëse sipas çmimit të tregut në kontratën e vitit 2020 është blerë në shumën prej 149 euro ndërsa është shitur në shumën prej 650 Euro. Diferenca në mes të çmimit të blerjes dhe emimit të shitjes, tek ky pozicion është në shumën prej 501 Euro për një ulëse“.

Për 710 ulëset e planifikuara për 71 shkolla, dëmi total llogaritet të jetë:

Shuma totale e blerjes (vlera reale): 105,790.00 Euro
Shuma totale e paguar nga MASHT: 461,500.00 Euro
Diferenca (dëmi i shkaktuar): 355,710.00 Euro
“Bonusi” i paligjshëm prej 445 mijë eurosh për inflacion

Skema nuk u ndal me përfundimin e kontratave. Aktakuza specifikon se gjatë vitit 2024, zyrtarët e Ministrisë kanë autorizuar jashtëligjshëm pagesën e një shume shtesë prej 445,519.20 euro në emër të “kompensimit për inflacion”. Sipas prokurorisë, ky kompensim nuk lejohej për këtë lloj kontratash furnizimi, duke e konsideruar këtë si një goditje të pastër ndaj arkës së shtetit për të favorizuar bizneset e lidhura me grupin.

Kush janë të akuzuarit?

Në listën e 11 personave të akuzuar figurojnë emra kyç të administratës së MAShT-it dhe biznesmenë të njohur:

Zyrtarët e MAShT: Naim Demiri, Arberita Mehmetaj, Agim Berdynaj, Xhemajl Buzuku, Murtez Hasan Zekolli, Fadile Kokaj-Dyla dhe Fehmi Zylfiu. Ata akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Biznesmenët: Agron Shala (A & F Projekt), Mërgim Limaj, Dashmir Limaj (Fabrika e Mobileve Standard), Ardian Berisha dhe Isah Elezaj (Shkëmbi-Gllarevë), të cilët akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.

Dëmi total: Një goditje e rëndë për arsimin

Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që përveç dënimeve me burg, të pandehurve t’u konfiskohet pasuria e fituar përmes këtyre veprave penale. Me një dëm total që i afrohet 6 milionë eurove, ky rast konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha ndaj integritetit të institucioneve arsimore në vend, ku mjetet që duhej të shkonin për modernizimin e shkollave, dyshohet se përfunduan në xhepat e një grupi të organizuar.

Si funksiononte krimi, sipas PSRK-së

Sipas aktakuzës, Naim Demiri (ish-udhëheqës i Divizionit të Prokurimit) dhe Arberita Mehmetaj (zyrtare e lartë e prokurimit) ishin “arkitektët” administrativë të skemës. Ata akuzohen se kanë manipuluar dosjet e tenderëve duke përfshirë kritere që favorizonin vetëm grupin e caktuar të kompanive. Roli i tyre ishte të siguronin që specifikimet teknike të përputheshin me atë që ofronin këto biznese, duke injoruar ofertat më të lira dhe duke lejuar që kontratat të nënshkruheshin me çmime deri në 1900% më të larta se vlera e tregut. Gjithashtu, ata dyshohet se kanë injoruar mungesën e dokumentacionit të nevojshëm nga ana e kompanive fituese.

Agim Berdynaj, në cilësinë e personit përgjegjës për buxhet dhe financa në MAShT, kishte rolin e “gardianit” të fondeve që dështoi të vepronte. Ai akuzohet se ka autorizuar pagesat për këto kontrata duke qenë në dijeni për fryrjen e jashtëzakonshme të çmimeve. Një pikë kyçe e aktakuzës ndaj tij është lejimi i pagesës prej mbi 445 mijë eurove për “inflacion” në vitin 2024. Ky veprim konsiderohet i kundërligjshëm, pasi kontratat e furnizimit me mallra nuk e parashihnin dhe nuk e lejonin një kompensim të tillë, duke i shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë buxhetit.

Xhemajl Buzuku dhe Murtez Hasan Zekolli kishin rol tjetër. Këta zyrtarë kishin përgjegjësinë për të verifikuar në terren nëse pajisjet e laboratorëve ishin ato që ishin porositur. Sipas prokurorisë, ata kanë nënshkruar raporte të rreme të pranimit të mallit. Edhe pse kontrata kërkonte pajisje me origjinë nga vendet e Bashkimit Evropian, Buzuku dhe Zekolli akuzohen se kanë pranuar pajisje me origjinë nga Kina dhe Turqia, të cilat ishin të një cilësie shumë më të ulët. Duke nënshkruar këto procesverbale, ata i kanë hapur rrugë pagesës së plotë për mallra që nuk i përgjigjeshin kritereve të kontratës.

Sipas aktakuzës detyra e Fadile Kokaj-Dyla dhe Fehmi Zylfiu ishte vlerësimi i ofertave të bizneseve. Aktakuza thotë se ata kanë rekomanduar për kontratë konsorciumin e kompanive “A & F Projekt” dhe “Standard”, edhe pse këto kompani kishin dorëzuar dokumentacion të falsifikuar. Ata akuzohen se kanë mbyllur sytë para mospërputhjeve teknike dhe para faktit që inxhinierët e prezantuar në ofertë nuk kishin kontrata reale me firmat. Ky rol ishte kritik për të eliminuar konkurrencën e ndershme dhe për t’i shpallur fitues partnerët e tyre në krim.

Agron Shala, Mërgim e Dashmir Limaj, Ardian Berisha dhe Isah Elezaj nga ana e sektorit privat, e që akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” kishin rolin e tyre te koordinimi i ofertave për të siguruar çmime fiktive dhe dorëzimi i dokumenteve të falsifikuara (si kontrata pune të rreme dhe certifikata të manipuluara).

Ata dyshohet se kanë sjellë në Kosovë pajisje të lira lindore, duke i faturuar ato si prodhime evropiane me çmime astronomike. Përmes këtyre veprimeve, ata kanë përfituar miliona euro, të cilat prokuroria tani kërkon që t’u konfiskohen si pasuri e krijuar me vepër penale.

Si u mbrojtën para Prokurorisë?

Naim Demiri (Udhëheqës i Prokurimit), i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare përmes manipulimit të specifikimeve teknike dhe kriterit të tenderëve për të favorizuar kompani të caktuara, duke lejuar çmime deri në 1900% mbi tregun, ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore dhe ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, duke mos u deklaruar fare për akuzat.

Arberita Mehmetaj (Zyrtare e Prokurimit), e cila akuzohet se hartoi kriteret tenderuese që eliminonin konkurrencën dhe favorizonin konsorciumin e akuzuar, duke injoruar shkeljet ligjore në dosje, ka deklaruar se: “Çdo veprim që kam ndërmarrë në proceset e prokurimit ka qenë në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet e eprorëve të mi”.

Agim Berdynaj (Përgjegjës për Financa), i cili akuzohet për autorizimin e pagesave milionëshe me çmime të fryra dhe lejimin e kundërligjshëm i pagesës prej 445 mijë eurove për “inflacion” në vitin 2024, ka deklaruar se: “Pagesa për inflacionin prej rreth 445 mijë eurove është ekzekutuar duke u bazuar në Vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe udhëzimet e Ministrisë së Financave”.

Xhemajl Buzuku (Komisioni i Pranimit), i cili akuzohet se bëri nënshkrimin e raporteve të rreme për pranimin e mallit, duke pranuar pajisje kineze dhe turke në vend të atyre nga BE siç kërkohej me kontratë, ka deklaruar se: “Unë nuk jam ekspert i fushës së laboratorëve dhe pranimin e mallit e kam bërë duke u bazuar në atë që ka sjellë operatori sipas faturave”.

Murtez Hasan Zekolli (Komisioni i Pranimit), i cili akuzohet se bëri keqpërdorim të detyrës duke vërtetuar rrejshëm se pajisjet ishin të reja dhe të origjinës evropiane, duke mbuluar mospërputhjet e mallit, ka deklaruar se: “Komisioni ka bërë pranimin teknik të pajisjeve në terren dhe kemi konstatuar se malli ishte i ri dhe i papërdorur”.

Fadile Kokaj-Dyla (Komisioni Vlerësues), e cila akuzohet se bëri rekomandim për shpalljen fituese të kompanive që kishin dorëzuar dokumentacion të falsifikuar dhe që nuk i plotësonin kriteret teknike, ka deklaruar se: “Si anëtare e komisionit vlerësues, unë kam shqyrtuar vetëm dokumentacionin e dorëzuar në dosje dhe nuk kam pasur arsye të dyshoj në vërtetësinë e tij”.

Fehmi Zylfiu (Komisioni Vlerësues), i cili akuzohet se në bashkëpunim në vlerësimin e ofertave duke lejuar kalimin e kompanive me çmime fiktive dhe duke mos verifikuar vërtetimet tatimore të rreme, ka deklaruar se: “Vlerësimi i ofertave është bërë në mënyrë kolegjiale e profesionale dhe nuk ka pasur asnjë ndikim apo presion për të favorizuar ndonjë operator”.

Agron Shala (A & F Projekt), i cili akuzohet për mashtrim në prokurim publik dhe falsifikim të dokumenteve, duke faturuar pajisje me çmime astronomike dhe mall jo-adekuat, ka deklaruar se: “Çmimet e ofruara në tender kanë qenë reale për shkak të specifikave të veçanta, cilësisë së lartë të pajisjeve dhe kostove të transportit”.

Mërgim Limaj (Mobile Standard), i cili akuzohet se bëri dorëzimin e kontratave fiktive të punës për inxhinierë dhe pjesëmarrje në skemën e mashtrimit me ofertat e fryra, ka deklaruar se: “Nuk kam pasur njohuri se certifikatat apo dokumentet e inxhinierëve të paraqitura në ofertë mund të ishin të falsifikuara”.

Dashmir Limaj (Mobile Standard), i cili akuzohet se në bashkëpunim ka kryer hartimin e ofertave me çmime të fryra që dëmtuan buxhetin dhe përfitim i kundërligjshëm nga fondet e MAShT-it, ka deklaruar se: “Kompania jonë i ka përmbushur të gjitha obligimet kontraktuale dhe pajisjet janë dorëzuar nëpër shkolla sipas kërkesave të Ministrisë”.

Ardian Berisha (Shkëmbi-Gllarevë), i cili akuzohet se ka bërë dorëzimin e dokumenteve të falsifikuara për kapacitetet teknike dhe mashtrim lidhur me origjinën e mallit të dorëzuar nëpër shkolla, ka deklaruar se: “Unë jam marrë vetëm me pjesën teknike të montimit të pajisjeve dhe nuk kam pasur qasje në hartimin e ofertës financiare”.

Isah Elezaj (Shkëmbi-Gllarevë), i cili akuzohet se ka dhënë ndihmë në krijimin e dokumentacionit të rremë dhe furnizim me pajisje që nuk plotësonin standardet e kërkuara nga kontrata, ka deklaruar se: “Dokumentacioni i dorëzuar gjatë ofertimit ka qenë i rregullt dhe furnizimi me mall është bërë sipas specifikave që ka kërkuar MAShT-i”.

Ky rast përfaqëson një nga skemat më të sofistikuara dhe më të dëmshme të korrupsionit në prokurimin publik të viteve të fundit, ku bashkëpunimi i ngushtë mes zyrtarëve shtetërorë dhe bizneseve private ka mposhtur çdo mekanizëm kontrolli. Shifrat e fryra deri në 1900% mbi vlerën e tregut dhe pranimi i qëllimshëm i mallrave me origjinë të dyshimtë dëshmojnë për një plan të mirëmenduar, që nuk ka pasur synim modernizimin e arsimit, por nxjerrjen e paligjshme të miliona eurove nga arka e shtetit. Një dëm prej gati 6 milionë eurosh në një sektor kaq vital është një goditje e drejtpërdrejtë mbi taksapaguesit dhe të ardhmen e nxënësve.

Në rrafshin juridik, mbrojtja e të akuzuarve e bazuar në “mungesë ekspertize”, “heshtje” apo “zbatim të vendimeve të eprorëve” do të vihet përballë një mali me prova materiale të mbledhura në këto 83 faqe aktakuzë. Sfida kryesore e drejtësisë mbetet jo vetëm dënimi i fajtorëve, por edhe konfiskimi i pasurisë së fituar përmes këtyre krimeve, siç është kërkuar nga Prokuroria Speciale. Ky proces gjyqësor do të shërbejë si një test i rëndësishëm për integritetin e sistemit gjyqësor dhe për premtimet për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë brenda institucioneve qeveritare.

Komento: