
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, kryetari në detyë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule pranë pllakës përkujtimore në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kushtuar hebrenjve që u vranë në kampet naziste gjatë Holokaustit.
Në 81-vjetorin e çlirimit të kampit të Aushvicit, Dimal Basha e cilësoi këtë kamp si simbol të një prej krimeve më të mëdha në historinë e njerëzimit, në të cilin mbi 1,1 milionë njerëz, shumica hebrenj, u vranë ose vdiqën nga kushtet çnjerëzore.
“Kjo ditë na kujton se deri ku mund të arrijë urrejtja kur ushqehet nga ideologjia, racizmi dhe çnjerëzimi. Kjo ditë na mëson po ashtu se indiferenca dhe heshtja përballë së keqes kanë pasoja shkatërrimtare. Megjithatë, edhe në ato vite të errëta pati vende ku shfaqej drita e njerëzimit, ndër të cilat shquhej Shqipëria dhe hapësirat e tjera të banuara me shqiptarë. Familjet shqiptare hapën dyert, duke strehuar dhe mbrojtur në shtëpitë e tyre hebrenjtë që ndiqeshin nga nazistët, duke dëshmuar fisnikërinë dhe humanizmin e popullit tonë, virtyte që na bëjnë krenarë dhe që janë pjesë e identitetit tonë moral dhe kombëtar”, theksoi Basha, në shënimin e tij në përkujtim të kësaj dite.
Ai vlerësoi se sot, kur në botë ende shfaqen forma të antisemitizmit, racizmit dhe urrejtjes, të kujtosh do të thotë të mbrosh dinjitetin njerëzor, duke mos lejuar që e keqja të normalizohet.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, përkulemi me respekt para të gjitha viktimave të Holokaustit dhe kujdesemi që momente si këto të na shërbejnë për të kërkuar drejtësi për viktimat, por mbi të gjitha të mos lejojmë që tragjedi të tilla të përsëriten më asnjëherë, askund dhe ndaj askujt”, nënvizoi ai.