
Platforma Liria ka Emër ka vazhduar sot fushatën e saj të takimeve dhe mobilizimit qytetar me një vizitë në qytetin e Gjakovë. Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, vizitoi Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu”, ku u takua me aktorin e njohur Edi Kastrati.
Gjatë takimit, aktori Edi Kastrati shprehu mbështetjen e plotë për marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
“Me trup dhe me zemër e mbështesim këtë marsh. Kemi obligim moral, kombëtar, shtetëror dhe kulturor ta mbështesim këtë thirrje qytetare. Drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe as e politizuar. Si artistë, kemi përgjegjësi të jemi në anën e së vërtetës dhe të dinjitetit të këtij vendi”, ka thënë Kastrati.
Me këtë rast, mbështetje të plotë marshit i ka dhënë edhe e gjithë trupa artistike e Teatrit “Hadi Shehu”, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve të Gjakovës dhe më gjerë që të marrin pjesë masivisht në marshin e 17 shkurtit.
Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, vlerësoi lart këtë mbështetje nga komuniteti artistik, duke theksuar rëndësinë e zërit kulturor në mbrojtje të drejtësisë:
“Kur artistët ngrihen në mbrojtje të drejtësisë, kjo thirrje merr kuptim edhe më të thellë. Mbështetja e Teatrit ‘Hadi Shehu’ dhe e artistëve të Gjakovës është dëshmi se kjo kauzë i tejkalon kufijtë e politikës dhe i përket ndërgjegjes sonë kolektive”, tha Hoxha.
Platforma Liria ka Emër do të vazhdojë takimet në qytete të ndryshme të Kosovës, duke ndërtuar një mobilizim të gjerë qytetar për marshin “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt në Prishtinë.