Një 37-vjeçareje i shpëtohet jeta në Spitalin e Mitrovicës: Kishte shtatzëni jashtë mitrës

14:26 | 28 Janar 2026
nje-37-vjecareje-i-shpetohet-jeta-ne-spitalin-e-mitrovices:-kishte-shtatzeni-jashte-mitres

Një 37-vjeçare ka shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë mjekësore në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Në njoftim thuhet se pacientja ishte pranuar në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, me shenja të theksuara të shokut hemorragjik, si pasojë e një shtatzënie ektopine cornuale, rast i rrallë dhe me rrezik të lartë për jetë.

Pas diagnostikimit të menjëhershëm, ekipet emergjente, kirurgjikale, gjinekologjike dhe të anestezionit vendosën kryerjen e një laparotomie urgjente.

Spitali njoftoi se ndërhyrja u realizua me sukses dhe ishte vendimtare për shpëtimin e jetës së pacientes.

Njoftim:

I shpëtohet jeta një 37-vjeçareje që ishte në rrezik jete

Një rast i rrallë është paraqitur në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë. Pacientja B. SH. (1988) është pranuar në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, me parametra vitalë minimalë, vetëdije të çrregulluar dhe shenja të theksuara të shokut hemorragjik (humbje e madhe e gjakut).

Pas vlerësimit të menjëhershëm klinik nga stafi i Shërbimit Emergjent, si dhe pas ekzaminimeve laboratorike dhe ultrasonografike, u diagnostikua një shtatzëni ektopine cornuale, një rast i rrallë (2–4% e shtatzënive jashtë mitrës), e shoqëruar me gjakderdhje masive dhe rrezik të lartë për jetën e pacientes.

Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe të koordinuar të stafit të Shërbimit Emergjent, në bashkëpunim me ekipin kujdestar të Repartit të Kirurgjisë, Gjinekologjisë dhe Anestezionit, Transfuzionit të Gjakut, si dhe shërbimeve mbështetëse, u mor vendimi jetik për kryerjen e një laparotomie urgjente, e cila u realizua me sukses. Ndërhyrja në kohë rezultoi vendimtare për shpëtimin e jetës së pacientes.

Stafi kujdestar përbëhej nga: Dr. Mirjeta Binakaj, specialiste e emergjencës; infermierët Valdete Maliqi, Saranda Rexha, Basri Grepi dhe Musa Peci;specialistët e gjnekologjisë, Dr. Arben Hajrizi, Dr. Vjollca Çitaku, Dr. Lindita Uka-Musaj, specialiste e kirurgjisë, anesteziologu kujdestar, Dr. Arber Bardhaj; teknikët e anestezionit Musa Kurti dhe Selvet Haziri, si dhe instrumentaret Nurgji Çuni dhe Liridona Peci.

Ky rast i reagimit të shpejtë dhe i shpëtimit të jetës përbën një shembull të shkëlqyer të përkushtimit profesional, reagimit emergjent dhe bashkëpunimit multidisiplinar, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetin e stafit për menaxhimin e rasteve më të rënda dhe më komplekse, në shërbim të jetës.

P.S.
Fotografia nga operacionet e mëhershme në sallën e Gjinekologjisë!

Komento: