Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për kërcënimet serioze ndaj gazetarit Kushtrim Sadiku

16:56 | 28 Janar 2026
asociacioni-i-gazetareve-te-kosoves-shpreh-shqetesim-per-kercenimet-serioze-ndaj-gazetarit-kushtrim-sadiku

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës  ka shprehur shqetësim të thellë për nivelin alarmues të kërcënimeve serioze me jetë që, sipas tyre, ka marrë ditëve të fundit gazetari i Kanal 10, Kushtrim Sadiku, shkruan Gazeta 10.

Sipas njoftimit të AGK-së, gazetari Sadiku i ka denoncuar këto kërcënime në Policinë e Kosovës, ndërsa Asociacioni u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe sigurisë që të zhvillojnë hetime të shpejta dhe të plota, si dhe të ofrojnë mbrojtje adekuate, duke pasur parasysh cenimin e sigurisë fizike të gazetarit dhe të familjes së tij.

AGK-ja gjithashtu ka apeluar te publiku që diskutimi rreth përmbajtjes së materialit të transmetuar të hënën në Kanal 10 të zhvillohet në kuadër të dhënies së opinioneve dhe kritikave, pa kërcënime dhe pa rrezikuar sigurinë e askujt.

“Asnjë formë kërcënimi ndaj gazetarëve nuk është e pranueshme dhe cenon drejtpërdrejt lirinë e medias dhe të shprehjes”, thuhet në reagimin e AGK-së./Gazeta 10

Komento: