
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka mohuar çdo përfshirje në testimin e dronëve të prezantuar me emrin “Skifter K1”, duke deklaruar se as ajo dhe as ndonjë institucion tjetër i Kosovës nuk kanë marrë pjesë në ndonjë aktivitet të tillë.
Në një përgjigje me shkrim, ministria thekson se “nuk ka qenë në asnjë mënyrë e përfshirë në testimin e ndonjë droni” dhe se nuk ka lëshuar asnjë leje apo autorizim zyrtar.
Sipas ministrisë, autoriteti për lejet e fluturimit në hapësirën ajrore i takon Komandantit të KFOR-it në bashkëpunim me ASHNA-n. Reagimi vjen pas publikimit të disa videove nga Ridvan Aliu, pronar i “Future Minds Academy”, i cili pretendonte se prodhon dronë ushtarakë në Kosovë. Mediat më pas zbuluan se videot ishin materiale të kompanive kineze.
Ministria shton se institucionet kompetente janë duke hetuar “vërtetësinë e videos dhe autentikësinë e dronit”, ndërsa sqaron se pjesëmarrja e ministrit Ejup Maqedonci në një aktivitet me Aliun ka qenë vetëm në kuadër të një gare për inovacion, ku është vlerësuar një prototip droni komercial me helika, dhe jo “Skifter K1”./VOX Kosova