
Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në veri, ku gjatë kontrollit në një shtëpi të braktisur në lagjen Bërxhane, Mitrovicë Veriore, u gjetën dhe u sekuestruan armë, municion dhe mjete të tjera ilegale. Sipas njoftimit të Drejtoria Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri, gjatë aksionit janë gjetur mes të tjerash:
Karikatorë të zbrazët për armë të gjata dhe bajonet;
Shishe plastike me saqme, kapsula për fishekë dhe sasi baruti;
Minë kundër këmbësorik me detonator;
Pjesë për mbushje fisheku, targa të automjeteve të ish-Milicisë;
Fishekë të armës së gjuetisë dhe të kalibrave të ndryshëm;
Pajisje ushtarake dhe veshje, përfshirë xhaketa dhe doreza ushtarake, si dhe këmisha të Policisë së Serbisë. Për shkak të materialit të rrezikshëm eksploziv, në vendngjarje ka ndërhyrë Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME), e cila ka larguar sasinë e barutit, fishekët e kalibrave 12.7 mm dhe 20 mm, si dhe minën me detonator.
Rasti është raportuar tek Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurave për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Aktualisht nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë. Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka ftuar që çdo informacion që mund të ndihmojë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike të raportohet në numrin emergjent 192.