
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbajtur mbledhjen e 361-të me radhë, në të cilën janë trajtuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme që ndërlidhen me funksionimin e sistemit gjyqësor e ku ndër to ka certifikuar edhe rezultatin zgjedhor për zgjedhjen e anëtarëve të këtij këshilli.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe propozimin për emërim në Akademinë e Drejtësisë të mentorëve për gjyqtarët me mandat fillestar, të cilët do të ushtrojnë funksionin e tyre në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës, në pjesën praktike.
E gjatë diskutimeve që lidheshin me shqyrtimin e kundërshtimit të kandidates për anëtare të KGJK-së, Mejreme Mema, kryesuesi Albert Zogaj i tha anëtarit Fahret Vellija që me rastin e diskutimeve për këtë pikë të mos bëjë drama, e kjo pasoi me kundërshtimin e këtij të fundit.
Fahret Vellija tha se aty është për diskutuar profesionalisht, por jo për dëshira.
“Sa i përket asaj që kam pa dhe shkruan. A mundet me qenë për ju i qëndrueshëm apo jo i qëndrueshëm është diçka tjetër. Por sa i përket a kemi apo jo dëshira, ajo është subjektive dhe ajo nuk shprehet në tavolinë. Këtu jemi profesionistë për me zbatu a është në rregull. Nëse shumica mendon se ky qëndrim është në rregull, edhe unë jam rregull me shumicën sepse çka kam me bo, është organi kolegjial. por ju kisha lutuar kryesues, mos iu referoni kur unë e kam interpretimin tim me thënë se kjo është dëshirë, ose interpretim dhe gjithë e dimë. E në fakt unë nuk e di. E shpreha mendimin për shkak se e di nuk e shprehi mendimin hiç. Ju kisha lutur”, u shpreh ai.
Këtu reagoi Zogaj duke i thënë atij të mos bëjë drama.
“Mos e bo dramën, se nuk ka vend për dramën”
Vellija:
“Nuk po e bëjë dramën”
Zogaj:
“Nuk ka vend për dramën, nuk pata mendim konkurrues për mendimin tuaj. Këta konkurrojnë kur debatojnë, unë nuk jam duke debatuar, shpreha një pikëpamje për të paktën për çështjen një që është shumicë. Nuk di pse po hyn në këtë kualifikimin e avokatit”
Vellija:
Ju i thatë do fjalë tjera para se me mbërri te ky
Zogaj:
“Po besoj që ti nuk je personi i vetëm që po fol në këtë sallë”
Vellija:
“Unë s’jam por ti nuk mundesh me thënë avokim, apo dëshirë e dikujt”.
Me rastin e elaborimit të opinionit ligjor, drejtori i Zyrës Ligjore në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (SKGjK), Astrit Hoti tha se pas pranimit të kundërshtimit, është vlerësuar fillimisht lejueshmëria e tij, e që sipas Hotit si mjet juridik i paraqitur nuk i plotëson kushtet formale që duhet të plotësohen me rastin e paraqitjes së mjeteve juridike.
Sipas Hotit, pavarësisht se nuk janë plotësuar këto kushte, janë lëshuar në vlerësim të tij si Zyrë Ligjore, me çka kanë ardhur në përfundimin se shumica e nevojshme për t’u konsideruar se kandidati për anëtar të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës duhet të ketë 18 vota.