PDK kërkon hetim për pamjet e publikuara nga Kurti për fabrikën për prodhimin e dronëve

14:56 | 29 Janar 2026
pdk-kerkon-hetim-per-pamjet-e-publikuara-nga-kurti-per-fabriken-per-prodhimin-e-droneve

Besa Kabashi – Ramaj nag PDK ka kërkuar nga Prokuroria dhe organet e drejtësisë që të nisin hetimin në lidhje me çështjen e dronit “Skifter” i cili u prezantua si një prodhim i Kosovës,  duke thënë se siguria e Kosovës nuk është video promovuese e nuk është montazh e shfaqje për kamera.

Ajo në një konferencë për media ka hedhur kritika të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke thënë se kur kryeministri paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik, por edhe institucional dhe i sigurisë kombëtare.

“Kemi të ngritura dyshime të forta dhe të faktuara se pamjet promovuese nuk përfaqësojnë prodhimin real në Kosovë. Janë përdorur materiale të huaja, apo të modifikuara, të pakontrolluara dhe në një fabrikë ku kapaciteti i saj është thellësisht i diskutueshëm. Kjo është çështje serioze, sepse prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues; aty kërkohet infrastrukturë e certifikuar, personel i specializuar inxhinierik, protokolle sigurie dhe mbikëqyrje shtetërore, licenca dhe autorizime të qarta ligjore, si dhe testime të shumta teknike dhe operative. Asnjë prej këtyre nuk mund të zëvendësohet me video promocionale apo me montazhe vizuale. Procesi real i prodhimit të dronëve është proces i gjatë, i verifikueshëm dhe i dokumentuar, dhe jo diçka që imitohet për kamera. Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik, por edhe institucional dhe i sigurisë kombëtare”, tha ajo.

Ajo përmendi dhe rastin se si u promovua çështja e fabrikës së municioneve.

“Prandaj, kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz të deklarimeve të rreme në një sektor jetik për shtetin tonë, atë të mbrojtjes. Situata të ngjashme nga ish-kryeministri kemi parë edhe me fabrikën e municionit, por asnjë qytetar nuk ka parë plane të qarta, partneritet industrial të certifikuar, standarde të sigurisë dhe cilësisë, apo afate të besueshme dhe të verifikueshme. Asnjë industri e mbrojtjes nuk ndërtohet me fjalë, aq më pak industria e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës”, theksoi ajo.

Ajo tha se siguria e Kosovë nuk është pronë e asnjë qeverie dhe asnjë kryeministri.

“Siguria e Kosovës nuk është pronë e asnjë qeverie dhe asnjë kryeministri. Ajo është interesi jonë i përbashkët shoqëror. Qytetarët tonë meritojnë të vërtetën”, theksoi ajo.

Komento: