Herën e parë doli pa probleme, Plava do sërish ekzaminim psikiatrik – gjykata thotë ‘JO’

16:26 | 29 Janar 2026
heren-e-pare-doli-pa-probleme,-plava-do-serish-ekzaminim-psikiatrik-–-gjykata-thote-‘jo’

Mbrojtja e njërit nga tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plavës, para seancës së sotme kërkoi që këtij të fundit t’i bëhej edhe një ekzaminim shtesë, ndonëse një i tillë ishte kryer disa muaj më parë. Megjithatë, kjo kërkesë u refuzua nga trupi gjykues.

Disa muaj më parë, në dokumentin e ekspertizës psikiatrike të Granit Plavës, të siguruar nga gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, thuhej se i akuzuari ishte i përgjegjshëm për veprën. Sipas raportit, ai në natën kritike nuk ka shfaqur asnjë element psikiatrik që do të mund të ndikonte në aftësinë e tij për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e tij.

Pos kërkesës së mbrojtjes së Granit Plavës, nga një të tillë veç e veç, pati edhe nga ana e Naim Murselit dhe Kushtrim Kokallës.

“Kërkesa që mbrojtja e Naim Murselit e kishte paraqitur ishte rikonstruimi i vendit të ngjarjes, ndërsa mbrojtja e Kushtrim Kokallës kishte kërkuar që të dëgjohet edhe një dëshmitar shtesë, dëshmitar i cili quhet Tafil Kokalla. Ndërsa mbrojtja e Granit Plavës ka kërkuar që të bëhej edhe një ekzaminim shtesë ndaj tij, por këto kërkesa të gjitha janë refuzuar nga trupi gjykues”, tha gazetarja Gramisa Latifi e cila sot e përcolli nga afër seancën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Pos Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt janë edhe Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla, ndaj të cilëve seanca e radhës do të mbahet më 11 shkurt.

Komento: