Tre zyrtarët e lartë në Komunën e Prishtinës që ranë në pranga – I arrestuari për ryshfet në komunën e Prishtinës e kopjoi axhën e tij

16:26 | 29 Janar 2026
tre-zyrtaret-e-larte-ne-komunen-e-prishtines-qe-rane-ne-pranga-–-i-arrestuari-per-ryshfet-ne-komunen-e-prishtines-e-kopjoi-axhen-e-tij

Dukagjin Gashi, Afrim Gashi dhe Bashkim Sadiku, tre zyrtarë të lartë në Komunën e Prishtinës, ranë në pranga nën dyshimin për pranim ryshfeti. Që të tre bashkë, synonin t’ia kapnin afro gjashtë mijë euro ryshfet një biznesmeni. Njësoj kishte vepruar dikur edhe xhaxhai i Bashkim Sadikut, Refik Sadiku, zyrtar i lartë për energji, sa shërbente si zyrtar komunal në Komunën e Prishtinës.

Këtu janë detajet:

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar nga një muaj paraburgim që të tre zyrtarëve të lartë të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas dosjes së Prokurorisë, për të cilën raportoi Gazeta Insajderi, gjatë muajit janar 2026, të pandehurit Afrim Gashi, zyrtar i lartë për infrastrukturë rrugore dhe menaxher i kontratës për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Prishtinë, Dukagjin Gashi, udhëheqës i sektorit për menaxhimin e mbeturinave dhe ambientit, si dhe Bashkim Sadiku, zyrtar i lartë për energji, dyshohet se kanë shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin zyrtar për përfitim personal.

Të pandehurit kanë takuar Ekrem Gashin, pronar i kompanisë “Dardania SHPK”, fituese e tenderit “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve – Lot 1”. Gjatë këtyre takimeve, ata dyshohet se i kanë kërkuar ryshfet në vlerë 5,500 deri në 6,000 euro, apo rreth 10 për qind të vlerës së dy faturave të papaguara, për t’ia mundësuar pagesën.

Sikurse nipi i tij, Bashkim Sadiku, dikur vepronte edhe xhaxhai, Refik Sadiku. Sadiku sa kishte qenë zyrtar i Komunës së Prishtinës, në pozitën Drejtorit për Investime Kapitale, kishte kërkuar të holla nga tani i dëmtuari Tahir Sopa, pronar i kompanisë NBT-ING-SH.P.K, më qëllim që t’i lejohet vazhdimi i punës në projektin “Rivitalizimi i shkallëve” në lagjen “Arbëria”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Sadiku kishte kërkuar nga i dëmtuari Tahir Sopa, shumën prej pesë mijë euro për secilin situacion, nga vlera e përgjithshme 25.000 euro. Sipas aktakuzës Sadiku, në mënyrë të kundërligjshme hyn në automjetin e të dëmtuarit Sopa dhe kërkon nga ai shumën prej dy mijë euro, ndërsa shumën prej 3 mijë euro ta pranojë pas dy apo tre ditësh. Gjykata Themelore në Prishtinë për këtë e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe me pesë mijë euro gjobë Sadikun për marrje të ryshfetit.

Dosja për tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës

Dosja zbardh edhe ngjarjet e datës 27 janar 2026, kur sipas Prokurorisë, të pandehurit kishin planifikuar pranimin e ryshfetit. Rreth orës 08:40, në rrugën “Zagrebi” në Prishtinë, Afrim Gashi dyshohet se ka pranuar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 2,000 euro nga i dëmtuari, brenda një veture të tipit Audi A4, me ç’rast është arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës.

Më pas, rreth orës 09:49, i dëmtuari është takuar me Dukagjin Gashin afër shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë. Edhe pse paratë ishin nxjerrë për t’u dorëzuar, Dukagjin Gashi, sipas dosjes, ka refuzuar t’i pranojë duke i thënë “jo, jo, leje njëherë”, dhe ka shtuar se do të takoheshin sërish.

Ndërkohë, rreth orës 10:40, i dëmtuari është takuar me Bashkim Sadikun në zyrën e tij në katin e katërt të objektit të Komunës së Vjetër të Prishtinës. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Dukagjin Gashi, i cili i ka thënë Sadikut: “hec shko kryej qatë punë që të thash, edhe mos e diskuto po nisu menjëherë”, duke e ndërprerë komunikimin me të dëmtuarin.

Në të njëjtën bisedë, Dukagjin Gashi dyshohet se e ka pyetur të dëmtuarin nëse ishte takuar atë ditë me Afrim Gashin, duke përmendur se Afrimi ndodhej “te Muhaxherët”, duke iu referuar stacionit policor. Për këto veprime, prokuroria vlerëson se Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashkim Sadiku, në bashkëkryerje, kanë konsumuar edhe veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës u arrestuan gjatë një aksioni më 27 janar. /Insajderi.org/

Komento: