
Në mesditën e 29 janarit të vitit 2001 në veri të Mitrovicës u hodhën dy granate dore, ku si pasojë kishte mbetur i vrarë 15-vjeçari, Gazmend Ibrahimi dhe ishte plagosur vëllai i tij, Armendi.
25 vjet më vonë familjarët e Gazmend Ibrahimi, rrëfejnë se si sulmit i priu tensioni i vazhdueshëm mes serbëve dhe shqiptarëve për largimin e këtyre të fundit nga shtëpitë e tyre. Ata treguan se gjatë kësaj periudhe vetëm kishin filluar të bëjnë roje në këtë zonë.
Gazmendi nga familjarët kujtohet si një djalë i qetë dhe me një vullnet të madh për jetën, ndërsa dëshira e tij e vetme ishte që gjithmonë të jetonte në vendlindje. Disa ditë para rastit serbët e kishin larguar një familje shqiptare me forcë nga shtëpia në pjesën e epërme të rrugës, çka i shtyu banorët të organizohen dhe të bëjnë roje natë pas nate, nga frika e përshkallëzimit dhe tentimeve të tjera për dëbime.
“Kjo ka ndodhur më 29 janar…Kjo kishte ndodhur disa ditë më herët, disa serbë, një familje, e kanë larguar prej një pjesë më lart të rrugës, aty ku ka ndodhur ngjarja, veç një pjesë më lart e kanë larguar prej shtëpisë. Edhe këta banorët e lagjes filluan të organizohen, bënin roje për mos me ardh prapë deri tek largimi i familjes, sepse ata tentonin çdoherë të na largojnë prej lagjes, prej shtëpive, dhe kështu bënin roje çdo natë për mos me ardh prapë të ndonjë ekses, të ndonjë largimi të ndonjë familjeje. Kështu që deri më datën 29, kur ndodhi rasti, roje kanë bërë mirë, por serbët kanë qenë të organizuar dhe me numër të madh; një rrugë më lart kanë kaluar kjo masë e madhe dhe i kanë hedhur dy granata dore. Gazmendi është vrarë, janë plagosur edhe shumë, shumë banorë të lagjes, po ashtu edhe vëllai i Gazmendit, Armendi, ka qenë i plagosur në mesin e tyre”, tha Agim Ibrahimi për Kosovapress.
Familja e mori lajmin pak çaste pas shpërthimeve, pasi kishte dëgjuar granatat, por pa e ditur saktësisht çfarë kishte ndodhur, pasi në atë moment ndodheshin në shtëpi, në të njëjtën lagje ku ndodhi rasti. Ai thotë se pas djegies së shtëpive, familja nuk kishte ku të kthehej dhe për rreth tetë muaj qëndroi te miqtë, derisa rregulluan një dhomë të vogël dhe u kthyen në lagje.
Agim Ibrahimi përfundon rrëfimin duke treguar se Gazmendi gjithmonë dëshironte të kthehej në shtëpi. Ai kishte një dashuri të madhe për jetën, ishte i hapur, i vendosur dhe me vullnet të fortë për gjithçka, veçanërisht për të qëndruar në vendlindjen e tij.