
Gazetaret në Kosovë përballen me presion të dyfishtë në hapësirën digjitale: gjuhë seksiste dhe fyese në komente, dhe fushatë me elemente dezinformimi që synojnë delegjitimin e punës së tyre profesionale. Ky fenomen shfaqet si përpjekje për të diskredituar gazetarët gra, veçanërisht kur raportojnë mbi çështje të ndjeshme si korrupsioni, krimi i organizuar, dhuna ndaj grave dhe barazia gjinore
Shkruan: Arlinda Kqiku
Komentet seksiste, ofendimet, shpifjet dhe një fushatë e egër me elemente dezinformimi të qëllimshëm për punën dhe reputacionin e saj si gazetare janë pjesë e përditshmërisë së Ardiana Thaçi – Mehmetit.
Një copëz disa sekondëshe e ndarë nga emisioni i saj “Kiks Kosova”, i datës 21 nëntor ku po trajtohej tema e dhunës ndaj grave, Ardiana dhe kolegia e saj me të cilën udhëheq emisionin, Erjona Gjikolli, morën 84 komente në “Facebook”, 47 prej tyre me përmbajtje seksiste e ofendime personale për to.
Gazeta ka analizuar këto komente dhe kategoria më dominuese e përmbajtjes së komenteve është normalizimi i dhunës gjinore (22.2%), me komente që justifikojnë ose legjitimojnë rrahjen dhe kontrollin fizik ndaj grave.
Objektifikimi fizik dhe sulmet ndaj jetës private (secila nga 15.6%) shfaqen në formë të theksuar në këto komente me qëllim për ta zhvendosur diskursin nga profesionalja në pamjen, moralin dhe rolin familjar të dy gazetareve që udhëheqin emisionin.
Përtej sulmeve seksiste, kërcënimeve e ofendimeve, Ardiana është përballur edhe me një formë të dezinformimit të qëllimshëm, ku pas një reportazhi të saj për ngacmimin e grave në grupin Telegram “AlbKings”, numri i saj i telefonit u shpërnda publikisht po në këtë grup.
Ky sulm ndaj saj erdhi dhjetë ditë pasi ajo publikoi një reportazh në emisionin e saj “Kiks Kosova” për mënyrën se si në këtë grup po denigroheshin gra dhe vajza kosovare. Nga ai moment Ardiana filloi të merrte thirrje dhe mesazhe të shumta, përfshirë edhe propozime ofenduese nga persona që e kishin marrë numrin nga ky grup.
“Ende burra të ndryshëm më thërrasin kohë pas kohe. Sidomos gjatë festave të fundvitit”, rrëfen ajo.
Siç thotë ajo “ky është shembulli më i qartë se sa e thellë është kultura e fajësimit të viktimës dhe sa e rrënjosur është mënyra se si njerëzit e perceptojnë rolin e gruas”.
Lidhur me rastin e Ardianës në mars të vitit 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli dënimin për një nga administratorët dhe themeluesit e grupit “AlbKings”, identifikuar si F.P.
Ai u gjet fajtor për vjedhje identiteti dhe shantazh dhe u dënua me 1 vit e 9 muaj burgim dhe një gjobë prej 5,000 eurosh.
Por ky dënim i ulët nga institucionet e drejtësisë ndaj ngacmuesve të saj, nuk e demotivoi Ardianën e cila vitin e kaluar mori çmimin e parë nga BE-ja për gazetari hulumtuese.
“Nuk kam zgjedhur kurrë tema ‘më të lehta’ duke supozuar se janë më të përshtatshme për mua si grua… Në shumë raste kam zgjedhur qëllimisht temat më sfiduese”, thotë Ardiana duke shtuar se do të vazhdoj të raportojë për tema tabu në shoqëri, afera korruptive të politikanëve, e keqpërdorime të ndryshme, tema këto që sipas saj janë “magnet” i sulmeve.
Gjashtë gazetare të Kosovës – preh e sulmeve në “Alb-kings”
Ardiana Thaçi – Mehmeti nuk është gazetarja e vetme, të cilës e vërteta iu kthye kundër. Pesë gazetare të tjera kosovare u bënë objekt i së njëjtës fushatë në platformën “Alb-kings”, ku iu publikuan të dhënat personale, sikurse Ardianës.
Kështu bëjnë të ditur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Rastin më të freskët e kemi me AlbKings ku shënjestër kanë qenë se paku 6 gra gazetare, dy prej së cilave kanë zgjedhur që rastin të mos e bëjnë publik në databazën e AGK-së, por kanë ndjekur rrugët ligjore”, ka deklaruar Getoarbë Mulliqi, Drejtore Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Ajo shton se AGK vazhdimisht pranon ankesa nga gazetare gra që bëhen shënjestër e fushatave denigruese ose dezinformuese.
“Fatkeqësisht, këto raste nuk raportohen mjaftueshëm dhe nuk kemi statistika e raportime reale të rasteve. Ne vazhdimisht pranojmë ankesa nga gazetare gra që bëhen shënjestër e fushatave denigruese apo dezinformuese. Për ilustrim, afërsisht 20% e anëtareve gra janë përballur me sulme, ndër to edhe dezinformata me bazë gjinore”, thekson ajo.
Raporti i fundit i AGK–së i përpiluar në kuadër të bashkëpunimit me Rrjetin SafeJournalists, nga të gjitha incidentet e regjistruara, në 5 vitet e fundit së paku 40% janë drejtuar ndaj gazetareve gra, ndërsa pjesa tjetër ndaj gazetarëve burra.
Sipas Mulliqit ky fakt tregon se një përqindje e konsiderueshme e sulmeve i kanë gratë si cak.
“Për më tepër, hulumtimet tona kanë treguar që shumica e gazetareve kanë përjetuar forma të dhunës online: pas publikimit të storjeve sensitive, shumë prej tyre kanë marrë mesazhe abuzive, përfshirë kërcënime për dhunë fizike apo edhe seksuale”.
Ajo shton se statistikat konfirmojnë se ekziston një trend i sulmeve online me bazë gjinore, ku gazetarët gra në veçanti po përballen me kërcënime dhe fushata të orkestruara kundër tyre.
Mulliqi thekson gjithashtu se natyra e sulmeve ndaj gazetareve gra është kryesisht personale dhe seksiste, duke u fokusuar jo tek puna profesionale, por tek jeta private, karakteri apo pamja e tyre.
Jeta private e gazetareve si mjet diskreditimi
Gjatë analizës një rast dezinformimi, kundrejt gazetares së Klan Kosovës, Jehona Bajrami e cila udhëheq emisionin “Kosova Today” u vërejt në rrjetin e famshëm social “Tik-Tok”.
Në një faqe “Diaspora me Albin Kurtin” e cila në foto profili ka foton e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që numëron 14.9 mijë ndjekës dhe 704 mijë pëlqime, u targetua gazetarja Bajrami, duke u theksuar fakti se ajo është gruaja e analistit, Dardan Gashit. Në postimin ku shihet fytyra e gazetares Bajrami dhe bashkëshortit të saj, pretendohet se “ata zbatojnë urdhëra dhe paguhen për ta sulmu kryeministrin Albin Kurti”.

Postim nga faqja “Diaspora me Albin Kurtin”, nga rrjeti social: Tik-Tok.
Edhe përgjatë analizës në webfaqen e Klan Kosova, gazetarja Bajrami u sulmua në komente në faqen e “Facebook”, pikërisht për shkak të lidhjes së saj bashkëshortore.

Foto: Një koment në faqen e Klan Kosova ndaj gazetares Jehona Bajrami
Ky rast, i cili nuk është i rrallë është tregues se gratë gazetare shpesh bëhen objekt i dezinformatave që nuk lidhen vetëm me punën e tyre profesionale, por edhe me jetën private dhe marrëdhëniet personale. Duke u përqëndruar tek lidhja e saj me bashkëshortin, ky postim synon të diskreditojë gazetaren dhe të ndikojë në perceptimin publik mbi besueshmërinë e saj, duke reflektuar një praktikë të zakonshme të sulmeve seksiste ndaj grave në media.
Gazetaret përballë stigmës dhe sulmeve online
Me forma të ndryshme të dezinformimit është përballur edhe Tatjana Lazarević, gazetare nga komuniteti serb në Kosovë, e cila është kryeredaktore e KoSSev.info. Ajo vlerëson se ekziston një qëndrim diskriminues ndaj gazetareve gra në mjediset mediatike në Kosovë, sidomos në ato më të mëdha dhe në stacionet televizive.
“Më ka ndodhur disa herë – dezinformim, komente fyese, përpjekje për të më diskredituar për arsye gjinore, kombëtare ose të ashtuquajtura “patriotike”. Në secilin rast, vlerësova se ishte një sulm i organizuar. Gjatë viteve, shumica e këtyre sulmeve erdhën nga grupe komentuesish të lidhur me qeverinë”, shton ajo.
Ajo në një intervistë thotë se shumica e komenteve me të cilat përballet ajo vijnë nga komuniteti serb, ndonëse të gjitha i raporton tek organet komentente.
“Unë kurrë nuk i lë sulme të tilla pa u vënë re. I hulumtoj me kujdes ato, mbledh informacione, analizoj atë që po ndodh dhe njoftoj institucionet kompetente. Duke pasur parasysh se një numër fushatash negative që më synojnë mua personalisht dhe median që redaktoj kanë ardhur nga pala serbe, unë i kam raportuar rastet më të rënda në Departamentin e Krimit të Teknologjisë së Lartë në Beograd, si dhe në shoqatat profesionale të medias”.
Sipas saj stigmatizimi më i fortë ndodh në rrjetet sociale, ku sulmet ndaj gazetareve femra janë më të shpeshta dhe të organizuara.
Gazetarja nga komuniteti serb rrëfen se raportimet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe dhunën-përfshirë femicidin – janë më të ndjeshme dhe zakonisht provokojnë reagime negative ose kërcënime ndaj gazetareve.
Edhe Jehona Hulaj, gazetare dhe redaktore në median online “Telegrafi”, potencon se gjatë punës si gazetare jo rrallë herë ka përjetuar komente fyese në rrjete sociale nga lexuesit, sidomos kur raporton mbi tema të ndjeshme.
“Me fyerje online jam përballur edhe unë, sikurse shumica e gazetarëve që përballemi sot pasi që teknologjia dhe rrjetet sociale e bëjnë të veten dhe pavarësisht sa je profesional në raportimin tënd, dikujt mundet të mos i pëlqej ajo që ti bënë dhe automatikisht do të përballesh me komente të tilla”, thotë Hulaj.
Ajo thekson rëndësinë e profesionalizmit dhe dokumentimit të këtyre rasteve.
“Zakonisht reagoj duke i dokumentuar të gjitha ato që i shkruaj ose i them, i raportoj ku duhet, por nuk hy në përplasje e sidomos me profile anonime… Përqendrohem te puna ime dhe e lë profesionalizmin të flas për mua”, rrëfen ajo për gazetën.
Sipas Hulajt, temat më të ndjeshme që nxisin reagime negative për gazetaret gra janë politika, korrupsioni, siguria, krimi i organizuar dhe të drejtat e grave.
Hulaj vlerëson se institucionet e Kosovës vazhdojnë të çalojnë në reagimin dhe trajtimin e duhur të rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve, veçanërisht atyre digjitale. Ajo thekson se “shpesh këto raste nuk trajtohen me seriozitetin e duhur, procedurat zgjasin dhe gazetarët nuk marrin ndjesinë e mbrojtjes reale”.
Institucionet thotë Hulaj, duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar kërcënimet në hapësirën digjitale, duke shtuar se “institucionet duhet të krijojnë mekanizma të qartë dhe të zbatueshëm për rastet e kërcënimeve digjitale”.
Hulaj vlerëson se edhe publiku ka një rol të rëndësishëm në mosnormalizimin e gjuhës së urrejtjes, duke theksuar se kjo mund të arrihet “duke mos e shpërndarë të njëjtën gjuhë, duke mos komentuar dhe duke mos e ushqyer këtë dukuri”.
Nga ana tjetër, Hulaj thekson përgjegjësinë e mediave në adresimin e këtyre rasteve, duke nënvizuar se ato “duhet të sigurojnë mbështetje juridike dhe psikologjike për gazetarët, e jo vetëm deklarata solidariteti kur diçka shpërthen publikisht”.
Rezultatet nga pyetësori: Mbi 50% e gazetareve në Kosovë preh e stigmatizimit dhe dhunës online
Rezultatet e pyetësorit të realizuar në kuadër të hulumtimit në muajin nëntor, 2025 e konfirmojnë se dezinformimi ndaj grave gazetare në Kosovë ndonëse në masë më të vogël është prezent në hapësirën mediatike në Kosovë.
Rrjetet sociale mbeten terreni kryesor, ku ato përballen me sulme të ndryshme. Mbi gjysma e gazetareve të anketuara (24 nga 44) deklarojnë se janë përballur me komente fyese apo shpifje të drejtuara personalisht ndaj tyre, ndërsa një pjesë e konsiderueshme ka përjetuar forma të shtuara të dhunës digjitale, përfshirë komente seksiste (16 prej tyre), kërcënime në mesazhe private (8 gazetare) dhe manipulime të imazheve apo deklaratave të tyre online (2 raste).
Të dhënat e pyetësorit potencojnë qartë se sulmet ndaj gazetareve nuk lidhen vetëm me punën profesionale, por shpesh burojnë nga paragjykimet gjinore. 44.30% e të anketuarave besojnë se pikërisht stereotipet gjinore janë arsyeja pse gratë bëhen shënjestër e sulmeve më shpesh.
Ndërkohë 29.11% theksojnë se targetohen për shkak të temave që trajtojnë, si korrupsioni, politika apo dhuna me bazë gjinore – fusha të cilat tradicionalisht shihen si “të rrezikshme” dhe shpesh përballen me rezistencë shoqërore kur trajtohen nga gra. Një e katërta e tyre theksojnë se qëllimi i sulmeve është të dekurajohen nga pjesëmarrja e tyre në hapësirën publike.
Megjithëse shumica (28 gazetare) thonë se komentet nuk ndikojnë drejtpërdrejt në punën e tyre të përditshme, të dhënat potencojnë se dhuna online megjithatë ka pasoja serioze: disa gazetare thanë se pas sulmeve bëhen më të kujdesshme në raportim (9), disa shmangin tema të rëndësishme (7), ndërsa një numër i konsiderueshëm kanë menduar madje të braktisin profesionin (5).
Një aspekt tjetër që potencohet nga të dhënat e pyetësorit, është vënja në pah e mungesës dhe mbështetjes institucionale dhe profesionale. Më shumë se gjysma e gazetareve (23) besojnë se redaksitë nuk u ofrojnë mbështetje të mjaftueshme kur ato targetohen, dhe 59.09% mendojnë se rastet e dezinformimit ndaj tyre nuk trajtohen siç duhet nga organet e drejtësisë.
Komentuesit online në “gjah” të gazetare
Për shkak se shumica e gazetareve të anketuara i kanë përmendur komentet në rrjete sociale si formë kryesore e sulmeve online me të cilat përballen gjatë punës së tyre, gazeta ka analizuar për një periudhë 14 ditore komentet në lajme/storje ku në pamje shfaqen gazetare gra, në faqet e “Facebook” të “Klan Kosova”, “T7”/ “Gazeta Express” dhe RTK. Përgjatë periudhës së analizës nga data 19 nëntor deri me 3 dhjetor, 2025 në televizionet e analizuara janë përzgjedhur tri storjet e para të publikuara gjatë një dite, të realizuara apo prezantuara nga gazetare gra.
Gjetjet kryesore tregojnë se në Klan Kosova ka përqindje më të lartë të komenteve seksiste, denigruese dhe kërcënuese; T7/Gazeta Express shfaq komente seksiste kryesisht në temat sociale dhe kulturore kurse RTK ka ndjeshëm më pak komente negative.
Komentet seksiste shfaqen pavarësisht temës, por intensifikohen ndjeshëm kur temat lidhen me: dhunën në familje, rolin e gruas në shoqëri, reality show (Big Brother), çështje identitare dhe politike.
Përgjatë 14 ditëve rezulton se ”Klan Kosova” ka volumin më të lartë dhe format më ekstreme të komenteve me bazë gjinore. Përgjatë analizës 87 komente negative janë hasur në këtë media nga 229 komente të analizuara gjithsej.
Në Gazetën Express dhe T7 gjithsej ishin 26 komente negative nga 77 në total. Në këto media komentet janë më pak në numër se në Klan, por të përsëritura dhe të fokusuara në kompetencën profesionale dhe moralizim gjinor.
Ndërkaq në Radio Televizionin publik të Kosovës (RTK) shfaqet nivel minimal i komenteve negative gjatë periudhës së analizuar, me vetëm një koment në total që u bë në një nga transmetimet e edicionit të lajmeve të 20 nëntorit, 2025 të udhëhequr nga një prezantuese.
Nga 10 storie televizive të analizuara në Klan Kosova, 4 prej tyre ishin me tematikë sociale (përfshirë dhunën në familje), 2 në fushën e politikës, 1 storje në fushën e teknologjisë dhe 3 storje show-biz (dy nga to nga Big Brother)
Në T7 nga 9 storje të analizuara, 4 ishin nga kultura, 3 nga politika, dhe 2 storje me tema sociale.
Përgjatë 14 ditëve të analizës, storja televizive me më së shumti komente negative u shënua në Klan Kosova më 21 nëntor në emisionin “Kiks Kosova”, ku tematika që po trajtohej ishte rreth dhunës në familje në shoqërinë kosovare ku prezantueset e emisionit morën 47 komente negative.
Bazuar në të dhënat e analizës objektifikimi fizik paraqitet si një nga format më të shpeshta të diskursit seksist, në Klan Kosova dhe T7. Komentet fokusohen në pamjen trupore të gazetareve, duke përdorur fyerje dhe krahasime denigruese (p.sh. “lo*pë”, “rra*pi”, “zdr*alë”), si dhe vërejtje për peshën, fytyrën apo pamjen e jashtme.


Disa komente në T7-Emisioni “Zanat”
Seksualizimi në anën tjetër shfaqet në forma të drejtpërdrejta dhe agresive, shpesh me gjuhë vulgare dhe pornografike. Ai përfshin përdorimin e termave degraduese (“kur*vë”, “prost*itutë”), insinuata për sjellje seksuale dhe gjuhë të dhunshme me karakter seksual.
Kjo kategori dominon në webfaqen e “Klan Kosova”, sidomos në temat që lidhen me çështje sociale dhe dhunën në familje, duke treguar se temat me ngarkesë morale aktivizojnë diskurs më intensiv seksualizues ndaj gazetareve.

Disa nga komentet në Klan Kosova – Emisioni i mëngjesit
Një dukuri e hasur shpesh në komente është edhe komentimi i kompetencës profesionale mbi bazë gjinore. Në këtë kategori, komentet nuk kritikojnë përmbajtjen mediatike, por e vënë në dyshim aftësinë profesionale të gazetares për shkak të gjinisë. Fyerje si “analfabete”, “nuk di të flasë shqip” apo delegjitimim i rolit të tyre si gazetare janë të përsëritura në Klan dhe T7.
Mes tjerash përgjatë analizës janë hasur edhe komente seksiste të cilat shtrihen përtej rolit profesional, duke i sulmuar gazetaret si gra, bashkëshorte apo nëna.

Edhe pse më pak të drejtpërdrejta, mikroagresionet dhe stereotipet gjinore janë të pranishme në formë sistematike. Këto komente që minimizojnë zërin e grave ose riprodhojnë role tradicionale gjinore kontribuojnë në ruajtjen e pabarazive strukturore në diskursin publik.
Po ashtu analiza e profileve të komentuesve, bazuar në emrat publikë dhe identitetet e deklaruara në “Facebook”, tregon se pjesa dërrmuese e komenteve seksiste, denigruese dhe kërcënuese ndaj gazetareve gra vijnë nga profile që identifikohen si të gjinisë mashkullore. Në pothuajse të gjitha temat e analizuara, veçanërisht në faqen e Klan Kosova, komentet me përmbajtje të seksualizuar, justifikim të dhunës dhe sulme ndaj jetës private dominohen nga emra mashkullorë, ndërsa komentet e profileve që identifikohen si femërore janë minimale (vetëm dy komente).
Analiza tregon se një pjesë e konsiderueshme e komenteve vijnë nga profile të reja ose të dyshimta, pa të dhëna mbi prejardhjen e saktë të tyre, megjithëse nuk është gjetur ndonjë lidhje midis komentuesve të tillë.

Foto: Profili “Albano Alban” ka vetëm një foto në faqen e tij të “Facebook”, ka vetëm pesë shokë dhe nuk ka asnjë aktivitet tjetër të shfaqur.
Ky është shembull i një profili të rremë, i cili ka komentuar në një emision në T7 në emisionin “Zanat”.
Rezultatet e analizës tregojnë qartë se gazetaret gra në Kosovë janë objekt i një diskursi të organizuar urrejtjeje (Rasti i Alb-kings); seksizmi përdoret si mjet dezinformimi dhe delegjitimimi profesional; temat sociale dhe morale shërbejnë si katalizator për dhunë verbale gjinore; hapësirat e komenteve në webfaqet e mediave janë një ambient armiqësor për pjesëmarrjen e grave në media.
“Dezinformimi dhe stigma ndaj grave gazetare, një fenomen në rritje në Kosovë”
Profesoresha universitare në Departamentin e Gazetarisë, Remzie Shahini – Hoxhaj, thotë se fenomeni i dezinformimit dhe stigmatizimit online ndaj grave gazetare po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë në Kosovë.
“Ne bazë të matjeve që kam bërë kohët e fundit për gjuhën e urrejtjes drejtuar gazetareve, kam arritur në përfundimin që forma më e shpeshtë është ajo e stigmes dhe dezinformimit online, pasi kjo është formë e cila mund të fshehët dhe bëhet përmes profileve të cilat nuk janë lehtë të identifikueshme.”
Sipas Shahinit, një nga shkaqet kryesore të këtij fenomeni është pavarësia e grave në profesion, e cila perceptohet nga disa individë me mentalitet patriarkal si një “kërcënim i hapur”, duke i shtyrë ata të përdorin “gjuhe inflamatore, seksiste dhe të dezinformojnë”. Ajo shton gjithashtu se polarizimi politik në vend ka kontribuar në intensifikimin e këtij problemi.
“Polarizimi politik ka shtyrë në ndarjen e shoqërisë e sidomos në aspektin politik. Kjo ka bërë që edhe gratë të jenë cak i kësaj ndarje.”
Profesoresha vë në pah ndikimin që këto sulme kanë mbi gazetaret dhe cilësinë e gazetarisë.
“Gazetaret gra ndihen të cenuara, të frikësuara dhe shantazhuara përmes dezinformimit. Kjo i shtyen shpesh të tërhiqen nga hulumtimet e mëtejshme, edhe pse në Kosovë ato kanë provuar të kundërtën. Shumë gra gazetare, përkundër kërcënimeve fizike, psikike e edhe atyre familjare, nuk janë të zhgënjyera dhe kanë ndjekur hulumtimet deri në fund.”
Shahini e sheh edukimin medial dhe etik si një mjet të domosdoshëm për përballimin e këtyre sfidave.
“Një nga format më të mira të luftimit të kësaj dukurie është edukimi medial. Edhe pse koncepti për edukimin medial shpesh shihet shumë ngushtë vetëm në kontekstin e edukimit për media, ai përfshin shumë më tepër, edukimin me mediat dhe zhvillimin e mendimit kritik.”
Sulme online dhe paragjykime gjinore: Përvoja e gazetareve gra në RTK
Edhe Arbresha Berisha, gazetare në Radio Televizionin Publik të Kosovës (RTK) rrëfen se përvoja e saj 10 vjeçare në gazetari ka qenë shpesh sfiduese, veçanërisht për shkak të presionit dhe sulmeve online ndaj saj.
“Kam qenë cak i komenteve fyese, sidomos kur kam trajtuar tema të ndjeshme politike apo sociale. Kam pasur raste kur personalisht më kanë shënuar në rrjetet e mia sociale dhe më kanë ofenduar. Në nivel personal, kam vendosur të ruaj qetësinë dhe të mos bie në provokime, duke e lënë profesionalizmin të flasë vetë”, rrëfen ajo.
Sipas saj, gratë gazetare në Kosovë përballen më shumë me sulme kur trajtojnë çështje si korrupsioni, politika, të drejtat e grave, raportet gjinore dhe dhunën ndaj grave, si dhe temat që sfidojnë narrativa nacionaliste ose interesat e grupeve të fuqishme. Ndryshe nga kolegët meshkuj, sulmet ndaj grave shpesh kanë karakter personal dhe seksualizues, me qëllim denigrimin e integritetit profesional.
“Ndryshe nga meshkujt, ku sulmet shpesh janë profesionale, ndaj grave ato marrin karakter personal, seksualizues dhe kanë për qëllim denigrimin e integritetit.”
Berisha thekson se gjinia ndikon në mënyrën se si publiku i percepton gazetaret.
“Shpesh publiku i kërkon grave gazetare ‘sjellje më të butë’, ‘më pak këmbëngulje’ ose i gjykon më ashpër për pyetje të forta. Ndodh që kur një gazetare është kritike, ajo etiketohet si ‘emocionale’, ndërsa i njëjti qëndrim te një gazetar mashkull konsiderohet profesional dhe i guximshëm”
“Duhet të krijohen mekanizma funksionalë raportimi, të trajnojnë policinë dhe prokuroritë për t’i trajtuar seriozisht këto raste dhe të vendosin standarde të qarta kundër gjuhës së urrejtjes”, shton ajo.
Hezitimi për t’i raportuar rastet e sulmeve ndaj gazetareve
Edhe pse gazetaret gra në Kosovë përballen rregullisht me forma të ndryshme të dezinformimit dhe sulmeve online në rrjete sociale ndaj tyre, një pjesë e madhe e tyre hezitojnë t’i raportojnë këto raste në polici. Ky hezitim lidhet me mosbesimin në reagimin institucional dhe ndjesinë se “nuk do të bëhet gjë”, siç e thekson edhe Getoarbë Mulliqi nga AGK, e cila potencon se numri real i sulmeve është shumë më i lartë sesa ai i raportuar.
Një dëshmi për mos efikasitetin e sistemit të drejtësisë në trajtimit e rasteve kur gazetaret janë preh e sulmeve dhe ngacmimeve online, është rasti i një prej gazetareve të Kallxo.com (emri i të cilës nuk është bërë publik) e cila ishte viktimë e një sulmi të organizuar në rrjetin “AlbKings”. Edhe asaj sikurse Ardiana Thaçit edhe 5 gazetareve tjera, i ishte shpërndarë numri në këtë platformë.
Shpërndarja e cila kishte ndodhur pas një hulumtimi mbi dhunën në familje, e vendosi gazetaren në një situatë të ngacmimeve të vazhdueshme nga anëtarët e grupit famëkeq “AlbKings”.
Tre nga personat e identifikuar nga Policia ishin arrestuar. Dy prej tyre e kishin ngacmuar gazetaren ndërsa i treti edhe e kishte shpërndarë numrin e telefonit në grupin “AlbKings” në Telegram. Pas arrestimeve dhe hetimeve, i gjithë procesi gjyqësor për këtë rast ka vazhduar me nënshkrimin e marrëveshjeve për pranim të fajsisë, të cilat parashohin një dënim me vetëm 2 mijë euro për ngacmuesit.
Kjo gjë ishte kundërshtuar ashpër nga 60 organizata të shoqërisë civile dhe organizata përfaqësuese të mbi 150 mediave në Kosovë të cilat i kanë kërkuar Gjykatës së Prishtinës të hedhë poshtë këtë marrëveshje, duke kërkuar ndëshkim meritor për kryerësit e kësaj vepre.
“Në këtë rast, Prokuroria ka trajtuar ngacmimin ndaj një gazetareje si një çështje të zakonshme dhe pa pasoja për të mirën publike. Dënime të tilla ndaj ngacmuesve të grave gazetare dhe ndjekësve të platformave pornografike, të cilat tashmë kanë shkaktuar qindra viktima tek vajzat dhe gratë e Kosovës, edhe një herë dëshmojnë mendësinë patriarkale të sistemit dhe vullnetin e prokurorëve për të mbyllur sytë para dhunës ndaj grave”, thuhet në reagimin e OJQ-ve.
Vetëm 13 raste të raportuara në polici
Ndonëse të dhënat e organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetareve flasin ndryshe, në adresë të Policisë së Kosovës nga viti 2021 deri në nëntor vetëm 13 raste janë raportuar nga gazetaret gra mbi sulmet online ndaj tyre.
Në vitin 2021 u shënuan katër raste, tre përmes telefonit dhe një përmes rrjeteve sociale; dy prej tyre dërguar me raporte të veçanta pasi nuk kishte elemente të veprës penale, dy me kallëzim penal ndaj dy personave të dyshuar.
Në vitin 2022: Tri raste ndaj gazetareve femra, tri përmes telefonit, të gjitha me kallëzim penal në prokurori kundër katër personave të dyshuar.
Numër i njëjtë i sulmeve online u raportua edhe në vitin 2023. Tri raste, dy me kallëzim penal kundër dy personave të dyshuar, një me kallëzim penal ndaj personave të panjohur.
Kurse në vitin 2024 u shënuan dy raste, një me kallëzim penal kundër një personi të dyshuar dhe një me kallëzim penal kundër personave të panjohur.
Në vitin 2025, deri në nëntor u shënua një rast, i referuar në prokurori me kallëzim penal kundër personave të panjohur.
Që nga viti 2018, rastet e gazetareve kryesisht trajtohen nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, dhe si raste të tilla sipas Policisë “trajtohen me prioritet”.
Ndërkohë Kodi Penal i Kosovës parashikon dënime për kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes, përfshirë edhe ato ndaj grave gazetare, por zbatimi praktik sipas njohësve të drejtësisë përballet me sfida të shumta që kufizojnë mbrojtjen efektive.
Dispozitat përkatëse përfshijnë: Neni 190 – Kërcënimi: dënohet me gjobë ose burgim deri në 1 vit për veprime që frikësojnë ose dëmtojnë një person.
Neni 147 – Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit: përfshin veprime që nxisin urrejtje ndaj grupeve për shkak të gjinisë, përkatësisë etnike, orientimit seksual etj., me dënim deri në 10 vite burgim në raste të rënda.
Ndërkaq, shpifja nuk konsiderohet më vepër penale sipas Kodit Penal aktual të Kosovës (Nr. 06/L‑074), pasi legjislacioni i miratuar në 2018 e ka dekriminalizuar atë.
Sipas juristit Anton Nrecaj “Problemi kryesor është se këto nene nuk e adresojnë në mënyrë të veçantë gazetarinë si profesion të cenueshëm, dhe nuk ka nen që ndëshkon gjuhën seksiste ose mizogjene në kontekst profesional”.
Ai thekson se stigma gjinore dhe sulmet me bazë gjinie trajtohen si forma të diskriminimit dhe dhunës me bazë gjinore, të cilat mund të përfshihen në: Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi; Ligjin për Barazi Gjinore; Dispozitat penale për urrejtje dhe kërcënim.
Megjithatë, ai thekson se Kodi Penal nuk ka nen specifik që adreson sulmet ndaj gazetareve si grup i veçantë, çka lë hapësirë për interpretim dhe zbatim të dobët në praktikë.
Rrjedhimisht sipas tij efektiviteti i organeve të drejtësisë është i kufizuar.
“Edhe pse ekzistojnë dispozita ligjore, zbatimi është i ngadaltë dhe shpesh jo i ndjeshëm ndaj dimensionit gjinor”.
Ndërkohë një dokumentar i OSCE në Kosovë, “Beyond the Headlines”, i publikuar në nëntor 2025, thekson se që nga fillimi i vitit 2025 janë raportuar 56 incidente kundër gazetarëve – përfshirë ngacmime online, fushata denigruese dhe sulme fizike.
Kurse një analizë, e publikuar në 2025 – Shooting the Messenger? Harassment and Hate Speech Directed at Journalists on Social Media potencon se përmes rrjeteve sociale sulmet ndaj grave gazetare janë shpesh seksualiste dhe ideologjike, dhe se periudhat e polarizimit politik rrisin intensitetin e urrejtjes online.
Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.