
Profesori universitar i Fakultetit Juridik, Kolë Krasniqi, ka bërë të ditur se është propozuar si kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në facebook, Krasniqi ka konfirmuar se propozimi ka ardhur nga Rrjeti Intelektual Shqiptar, duke theksuar se këtë iniciativë nuk e sheh si nder personal, por si reflektim të shqetësimit qytetar për gjendjen e institucioneve dhe nevojën për udhëheqje të bazuar në etikë, dije dhe përgjegjësi publike.
Me përgjegjësi të lartë morale dhe me ndjenjë të thellë reflektimi kam pranuar njoftimin se Rrjeti Intelektual Shqiptar më ka propozuar si kandidat për President të Republikës së Kosovës. Këtë propozim nuk e konsideroj si nder personal, por si shprehje të një shqetësimi të sinqertë qytetar për gjendjen e institucioneve tona dhe për nevojën e një udhëheqjeje që mbështetet mbi etikën, dijen dhe përgjegjësinë publike.
Formimi im akademik perëndimor, i ndërtuar në universitete ku mendimi kritik, autonomia morale dhe respekti për shtetin e së drejtës janë parime themelore, më ka mësuar se pushteti nuk është privilegj, por barrë; jo mjet afirmimi personal, por shërbim ndaj shoqërisë”, ka deklaruar Krasniqi.