
Rinia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Ata para qeverisë folën për çmimet e larta të energjisë elektrike.
Sekretari i RDK-së, Argjend Gjata pati kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti për faturat e larta e të energjisë elektrike.
“Sot jemi këtu para Qeverisë jo për statistika, jo për propagandë, por për ta ngritur zërin për vështirësitë që po i përjetojmë çdo ditë. Jemi këtu për krizën energjetike dhe për faturat që po bëhen të papërballueshme për familjet tona. Jemi këtu për prindërit tanë, të cilët po detyrohen të zgjedhin mes ngrohjes dhe ushqimit; për studentët që mësojnë në terr; dhe për qytetarët që po pyesin se edhe sa e sa do të rriten faturat e rrymës”, tha ai.
“Albin Kurti po tallet me qytetarët duke thënë se po ngrohemi më shumë sesa duhet, por sot po e pyesim publikisht: kush po e shpërdoron energjinë – qytetari që mezi ia del deri në fund të muajit apo qeveria që ka bllokuar qindra miliona euro në investime dhe e ka lënë Kosovën pa prodhim të mjaftueshëm vendor? Kush po e rrezikon sistemin – familjet që mezi po mbijetojnë apo pushteti që me vite me radhë ka bllokuar projekte që sillnin energji dhe vende pune?”, tha ai.