Me gjithsej 164 vota, Abdixhiku mbetet lider i LDK-së!

09:26 | 01 Shkurt 2026
me-gjithsej-164-vota,-abdixhiku-mbetet-lider-i-ldk-se!

Kuvendi i Punës i Lidhjes Demokratike të Kosovës u mbyll mbrëmjen e së shtunës me votëbesim për kryetarin aktual, Lumir Abdixhikun, i cili mori sërish mbështetjen e shumicës së delegatëve për të vazhduar drejtimin e partisë. Punimet e Kuvendit që nisën në dritë e i zuri terri, në fund e dhanë “aminin” për fatin e liderit të tyre.

164 prej tyre votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, e ndërsa 136 votuan pro, duke e konfirmuar atë edhe për një mandat në krye të LDK-së. Në deklarimin e tij të parë pas mbylljes së punimeve, Abdixhiku tha se më shumë se kaq një parti politike s’mund të bëjë. Ai falënderoi delegatët e LDK-së për ushtrimin e demokracisë.

“Jam mirënjohës i mbështetjes së vazhduieshme, por edhe kundërshtimeve në këtë proces. Zotohem se do t’i afroj të gjithë”, deklaroi Abdixhiku.

Riorganizimi i LDK-së tha se do të nis shumë shpejt në të gjitha degët dhe nëndegët e partisë.

“Mbështetja e sotme është privilegj dhe përgjegjësi, por mbi të gjitha barrë për rrugën që ka përpara LDK-ja. Kjo rrugë përpara quhet rimëkëmbje, dhe nuk bëhet me natyrën e fituesit ose humbësit, por bëhet me përafrimin e anëtarësisë. U bëj thirrje të gjithëve pa dallim, edhe ata që kanë qenë të kënaqur me mua, por në veçanti ata që s’kanë qenë, edhe ata që kanë mbajtur funksione të larta, të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë së LDK-së. Jemi pak, prandaj kemi nevojë për të gjithë, do të punojmë ta kemi secilin”.

“U bëj thirrje të gjithëve edhe një herë, edhe të dëshpëruarit, të larguarit, të dorëhequrit ose jo, të kthehen në shtëpinë e tyre politike në funksion të plotë politik, dhe besoj se do të gjejnë hapësirën e vet. Askush nuk do të jetë mbi anëtarësinë, e as kryetari”, deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai tregoi se në këtë kuvend janë miratuar dy deklarata, njëra për situatën politike në vend, e tjera për situatën e LDK-së, transmeton Klankosova.tv

“Janë deklarata që kërkojnë maturitet politik. LDK-ja shpreh gatishmëri që ta ofrojë veten për të dhënë mendime me këdo që është pjesë e skenës politike në Kosovë. Nuk kemi folur specifikisht as për koalicione, as për pozicione specifike, por kemi dhënë vlera orientuese të një partie”, u shpreh Abdixhiku, teksa shtoi se kjo deklaratë do të publikohet më vonë.

Tutje, ai dha sqarime mbi diskutimet.

“Kemi diskutuar se na duhet komunikim politik brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike, nuk flasim për pazare politike. Por që partitë duhet të ulen që t’i bëjnë numrat për një president të ardhshëm të Kosovës. Prandaj, jam i gatshëm të flas me gjithë spektrin politik për t’i dhënë zgjidhje çështjes shumë të rëndësishme të presidentit, i cili do të jetë konsensual dhe do të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës”, u shpreh ai.

Votëbesimi ndaj Abdixhikut vjen pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku partia siguroi 15 ulëse dhe u rendit e treta. Por, delegatët vendosën t’i japin edhe një herë besimin për ta udhëhequr partinë në fazën që ai e quajti “rimëkëmbje”.

Komento: