Rrugët drejt pikave kufitare të kalueshme, por me borë dhe akull në disa segmente

07:56 | 02 Shkurt 2026
rruget-drejt-pikave-kufitare-te-kalueshme,-por-me-bore-dhe-akull-ne-disa-segmente

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se gjendja e rrugëve që shpien drejt pikave të kalimit kufitar është përgjithësisht e mirë dhe e kalueshme.

Sipas të dhënave të fundit, në shumicën e magjistraleve nuk ka prezencë të borës, akullit, mjegullës apo rrëshqitjeve të dheut. Rrugët në drejtimet Mitrovicë–Bërnjak, Gjakovë–Qafë Morinë, Gjakovë–Qafë Prushit, Gjilan–Dheu i Bardhë, Kaçanik–Hani i Elezit, Podujevë–Merdarë dhe Prizren–Vërmicë janë të kalueshme pa pengesa.

Megjithatë, në disa segmente është raportuar prani e borës dhe akullit.

Rruga Pejë–Kullë ka borë dhe mjegull, ndërsa në aksin Prishtinë–Mutivodë është shënuar prani e borës dhe akullit, çka kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve.

Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar, pasi kushtet atmosferike dhe reshjet e borës kanë vështirësuar qarkullimin në disa akse rrugore.

Trafiku është bërë i vështirë për shkak të borës, ngricave dhe dukshmërisë së reduktuar në disa segmente, veçanërisht në rrugët nacionale e rajonale.

Autoritetet kanë kërkuar nga drejtuesit e mjeteve që të: Përshtatin shpejtësinë me kushtet aktuale të rrugës; mbajnë distancë të sigurt nga automjetet para tyre; të përdorin dritat në kushte me dukshmëri të dobët dhe të shmangin manovrat e rrezikshme si parakalimet e panevojshme apo frenimet e papritura. /Telegrafi/

Komento: