ZRRE shqyrton të hyrat dhe tarifat e NEMO për 2026–2028, thotë se nuk ka rritje të tarifave

10:26 | 02 Shkurt 2026
zrre-shqyrton-te-hyrat-dhe-tarifat-e-nemo-per-2026–2028,-thote-se-nuk-ka-rritje-te-tarifave

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026-ë, në të cilën ka shqyrtuar kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të NEMO për periudhën 2026–2028, duke theksuar se lista e tarifave për Kosovën propozohet të mbetet e pandryshuar dhe se nuk bëhet fjalë për rritje të tarifave të energjisë.

Muharrem Gashi, Udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRRE, ka deklaruar se të hyrat e lejuara të propozuara përfshijnë komponentët rregullatorë standardë, si kostot operative, kostot që lidhen me investimet kapitale, amortizimet, kapitalin e punës dhe tarifat e licencës, duke theksuar se për Kosovën vlerat e propozuara si të hyra janë 669 mijë e 28 euro për vitin 2026, 712 mijë e 410 euro për vitin 2027 dhe 835 mijë e 613 euro për vitin 2028, ndërsa struktura e tyre dominohet kryesisht nga kostot operative.

“ZRRE ka pranuar aplikimin e ALPEX-it për përcaktimin e të hyrave dhe të tarifave të NEMO për periudhën 2026–2028. Pas analizimit dhe shqyrtimit të aplikacionit në aspektin teknik, financiar dhe ligjor, ZRRE ka zhvilluar edhe procesin e konsultimit publik, ku ka dalë me raportin konsultativ, i cili ka qenë i publikuar në uebfaqen e ZRRE-së. Ky raport ka dalë në muajin dhjetor të vitit 2025; gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur komente nga palët e interesit dhe as nga ALPEX-i. Shqyrtimi është realizuar në përputhje me Ligjin për Rregullatorin për Energji, Ligjin për Energji Elektrike dhe metodologjinë për përcaktimin e tarifave të operatorit të lejuar të tregut të energjisë elektrike NEMO. Kjo bazë ligjore i jep ZRRE-së kompetencë për miratimin e të hyrave të lejuara dhe të strukturës tarifore. Të hyrat e lejuara të propozuara furnizohen, ofertomi i tribunës së Kosovës përfshin komponentët rregullatorë standardë, siç janë kostot operative, kostot që janë të lidhura me investimet kapitale, amortizimet, kapitali i punës, tarifat e licencës. Vlerat e propozuara për Kosovën për vitin 2026 si të hyra janë 669 mijë e 28 euro për vitin 2026. Për vitin 2027 janë 712 mijë e 410 euro dhe për vitin 2028 janë 835 mijë e 613 euro. Struktura e të hyrave dominohet kryesisht nga kostot operative. Kjo rritje nuk është si rezultat i rritjes së tarifave. Kjo buron nga rritja e kostos për njësi, është rritur volumi i energjisë”, ka thënë ai.

Gashi ka shtuar se këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi çmimet e tregut formohen automatikisht nga platforma e tregtimit, bazuar në ofertat dhe kërkesat e pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë.

“Lista e tarifave të NEMO-s për Kosovën propozohet që të jetë e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake, dhe vazhdon me u apliku për tregun… Tarifat e ALPEX-it duhet sqaruar se aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës, përfshirë tarifat vjetore, tarifat administrative, tarifat variabile të tregtimit, klerimit. Pra, këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi që këto çmime tregu formohen në mënyrë automatike nga platforma e tregtimit bazuar në ofertat e kërkesës së pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë”, tha ai./Ekonomia Online

Komento: