
Shqipëria del të jetë përmendur 60 herë në dosjet e miliarderit amerikan të dënuar për prostitucion dhe pedofili, Xhefri Epstein të vetëvrarë në burg. Rasti më i zëshëm ishte ai i Thorbjørn Jagland, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës që në një e-mail të datës 25 maj 2012 i shkruan Epstein se në Tiranë ka “femra të jashtëzakonshme.”
Email-i është dërguar një ditë pas vizitës zyrtare të Jagland në Shqipëri. Sipas arkivave të kohës, ai ka qenë realisht në Tiranë më 24 maj 2012, ku ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit.
“Përshëndetje Xhefri, jo, nuk kam telefonuar ende. Kam qenë në Tiranë (Shqipëri) vajzat janë të jashtëzakonshme. Do të shkoj në Jordani, Palestinë dhe Izrael. Do të kthehem të enjten” – thuhet në email.

Por ky nuk është rasti i vetëm. Nga një kërkim që lapsi.al u bëri dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë shihet se si miliarderit i kanë ofruar të rekrutojë një vajzë shqiptare që jeton në Nju Jork.

E-mail interesant që miliarderi i dënuar për pedofili ka marrë mban datën 29 mars 2017. Dokumenti është regjistruar me emrin “kandidatet kryesore” dhe është dërguar nga një person emri i të cilit është fshirë. Aty fillimisht i thuhet se ai mund të punësojë një vajzë 18-vjeçare ruse nëse e pëlqen duke i bërë edhe një përshkrim të saj.
Më pas i flitet për një vajzë shqiptare që jeton në Nju Jork, “e gatshme të bëjë të të gjitha punët që ai dëshiron”, por ka problem çështjen e dokumenteve.
“Kandidatet e tjera janë gjithashtu interesante, por nuk jetojnë në Nju Jork. Vajza shqiptare gjithashtu do të bëjë të gjitha llojet e punës që dëshironi të bëjë. Por ajo është shumë e ndërlikuar për sa i përket dokumenteve. Ke videon e saj për ty. Më thuaj nëse flet ose takon ndonjë…” – thuhet në e-mail.

Në dosje shfaqet edhe rasti i një vajze shqiptare me inicialet E.T., e cila në mars 2017 rezulton të ketë aplikuar për një pozicion pune si asistente personale, përmes një ndërmjetësi.
Dikush i shkruan Epstein se ajo është 21-22 vjeçe dhe e pyet nëse duhet ta intervistojë apo jo. Vajza kishte dërguar CV-në dhe ishte informuar se duhej të dërgonte 3 fotografi personale dhe një video prezantuese. Në CV deklaronte se jetonte në Tiranë, por në një email drejtuar Epstein thuhej se ajo jetonte në Paris.
“Përshëndetje, jam e interesuar për punën për të cilën i thatë Evan Luthra-s, por unë nuk jam me bazë në SHBA. A është kjo problem?”, – thuhet në emailin që ka dërguar e reja.
Shqipëria del edhe në një e-mail tjetër që Epstein ka marrë në 8 nëntor 2013. Dikush, emri i të cilit është fshirë sërish nga autoritetet i shkruan për një grua (emri i fshirë) të cilën e ka lënë burri për një shqiptare.
“… e la burri! Për një vajzë të çmendur shqiptare që nuk e lejon as të flasë me fëmijën e tij!” – thuhet në e-mail.

Në 29 mars 2010 Epstein merr një email nga Dan Dubno që i ofrohet për bashkëpunim. Në email ai i shkruan, ndoshta me shaka: “Kalova me motor pranë vendit tënd privat dje. Çfarë po ndërton? Fabrikë armësh? Të kesh fabrikën tënde të betonit do të ishte gjithashtu shumë e dobishme nëse je pjesë e mafies shqiptare… Shumë mbresëlënëse” – thuhet në email.

Edhe McGonigal në dosjet Epstein
Në dosjet Epstein ndodhen edhe një sërë e-mailesh të FBI-së për çështjen e ish-agjentit Charles McGonigal. E-maliet janë kryesisht informuese për çështjen dhe në disa raste përmendet edhe lidhja e tij me Shqipërinë. Një email i tillë i FBI-së josekret mban datën 9 shtator 2025 ku bëhet një përmbledhje për dënimin e McGonigal.
“Ai pranoi se kishte nxjerrë informacione të ndjeshme te një biznesmen shqiptar të lidhur me konglomeratin kinez…” – citohet në memo.
Në një tjetër dokument të FBI të 29 janar 2024, që ngjan me një përmbledhje lajmesh të rëndësishme të ditës flitet për ryshfetin që McGonigal mori nga një shqiptar.
“Daily Mail raportoi se McGonigal, ish-kreu i kundërzbulimit në Nju Jork për FBI-në, ka shkaktuar një hetim të brendshëm të aktivitetit të tij të kaluar për shkak të dënimit të tij për komplot me një oligark rus të sanksionuar, Oleg Deripaska, dhe fshehjen e një ryshfeti nga një zyrtar i inteligjencës shqiptare” – citon dokumenti.
Kosova del 162 herë e përmendur në 3 milionë faqet e dosjes. Pjesa më e madhe e tyre janë informuese për situatën, shkrime gazetash dhe lajme mediash apo dhe raporte ndërkombëtare për ngjarjet.