
Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.
Sipas njoftimit zyrtar, autorizimi i parë për nisjen e hetimeve është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar prej saj, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës.
“Nga dita e sotme ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për identifikimin e personave përgjegjës.
“Prokuroria Themelore në Pejë do ta mbajë të informuar opinionin publik lidhur me të gjitha zhvillimet e mëtejshme në këtë proces”, thuhet më tej në njoftim.
Hetimet janë ende në fazën fillestare dhe autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me subjektet apo numrin e personave të përfshirë.