
Është përuruar masat e eficiencës së energjisë në Shkollën e Ekonomisë “Isa Boletini” në Podujevë, ku pjesë, përveç ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Aty Kurti u pyet për kërkesën e KESCO që të rritet çmimin e energjisë elektrike për 21.3 për qind, por përgjigjen në vend të tij dha Rizvanolli duke thënë se fillimisht duhet të pritet raporti i ZRRE-së e më pastaj të jepen komentet.
“Sa i përket kërkesës dhe vendimit eventual ose sa i përket çmimit të tarifave të energjisë elektrike, ne do të shohim raportin konsultativ kur ZRRE ta publikojë, në këtë fazë nuk mund të themi asgjë. ZRRE vlerëson këto shpenzime që llogaritet, që ata konsiderojnë që janë arsyeshme, dhe ne si çdo vit do të analizojmë dhe do të japim komentet tona sa i përket kësaj”, tha Rizvanolli.
Po aty, ajo u ndal edhe të importi i rrymës, pa cka nuk anashkalon që importi i energjisë elektrike do të ndodhë edhe vitin e ardhshëm, duke nënvizuar edhe që sipas saj investimet që po bëhen në KEK, gjë për të cilën ripërsëritet nga paraqitjet e kaluara se kjo nuk ka ndodhur që 40 vjet.
“Së pari duhet theksuar se lajmi që është publikuar ka të bëjë me kërkesën e furnizuesit dhe operatorëve të tjerë. Nuk ka ende një vendim. Ndërsa, duhet të pasur parasysh disa zhvillime që janë objektive në sektorin e energjisë, që do të mund të kenë pasoja në këtë aspekt. Ju, siç e kemi theksuar dhe jeni të informuar, në KEK vitin e kaluar kanë filluar modernizimi dhe rehabilitimi që nuk janë bërë për 40 vite, që nga fillimi i punës së TC Kosova B dhe 60 vite në TC Kosova A. Kjo do të thotë që për këto vite, vjet, sivjet dhe vitin e ardhshëm, ne do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse blloqet duhet të ndalen për një kohë, për disa muaj, në mënyrë që investimet të realizohen. Kjo është një sakrificë që duhet ta bëjmë ne, për ne dhe gjeneratat e ardhshme, fatkeqësisht nuk është bërë më herët. Është investimi më i madh që po bëhet dhe më serioz që po bëhet në KEK. Megjithëse në KEK janë investuar rreth 1 miliard euro, kështu së paku thonë shifrat zyrtare deri në vitin 2020, nuk ka pasur asnjëherë rritje të kapaciteteve, të eficiencës dhe nuk ka pasur rritje të jetëgjatësisë. Investimet që po bëhen tash i përmirësojnë të gjitha këto aspekte. Tash po investojmë që jetëgjatësia e termocentraleve tona të rritet për 20 vjet, që ndotja të ulet ndjeshëm përmes vendosjes së filtrave për okside të azotit dhe pluhur. Dhe gjithashtu kapaciteti do të rritet së paku për 35 megavat në secilin bllok në termocentralin Kosova B”, tha ajo.
Rizvanolli iu është përgjigjur kritikave në lidhje me importin e energjisë, për të cilat tentoi të jap edhe arsyetime, ndonëse po vazhdonte të përgjigjej në pyetjen që i ishte drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Përveç kësaj, siguria do të rritet ndjeshëm. Këto rënie të blloqeve që i kemi ndodhin sepse s’ka pasur investime për 40 vitet e fundit. Siguria e sistemit elektroenergjetik duhet të rritet dukshëm, duke qenë që termocentralet do të jenë në dispozicion 85 për qind të kohësh përgjatë vitit dhe nuk do të kemi ndalje të paparashikuara në masën që i kemi. Kjo mund të ketë ndikim, dhe kjo është një arsye pse vjet është dashtë importojmë më shumë, që është një gjë që përflitet shumë. Pra, ka arsye objektive pse importi është rritur gjatë vitit të kaluar. Pse importi pritet të jetë i lartë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Por kjo gjë duhet ndarë prej një faktori tjetër që ka të bëjë me mënyrën si blihet energjia, si transportohet energjia, me procedura e të tjera të cilat ZRRE i mbikëqyr dhe duhet t’i mbikëqyr dhe ne kemi kërkuar që të mbikëqyren me shumë vigjilencë dhe aty ku ka hapësirë për hetime duhet të bëhen dhe duhet të jenë komplet transparente. Mirëpo nëse duam të kemi një diskutim të hapur për politikat energjetike, për planet dhe atë së çfarë po ndodh ne duhet t’i dallojmë këta faktor dhe të flasim në mënyrë të sinqertë për këtë”, shtoi ajo.