
Liverpooli po përgatitet për largimin e mundshëm të Mohamed Salah, pasi dolën raportime se Al-Ittihad i Arabisë Saudite po planifikon të bëjë një ofertë astronomike për yllin egjiptian.
Sipas TeamTalk, largimi i Karim Benzema nga Al-Ittihad te Al-Hilal në ditën e fundit të afatit kalimtar të transferimeve e ka vendosur Salah në krye të listës së dëshirave të klubit saudit, gjë që mund t’i lërë pronarët e Liverpoolit, FSG, me një vendim të vështirë për të marrë.
E ardhmja e Salah në Anfield ka qenë në dyshim që nga një grindje publike me trajnerin Arne Slott që e detyroi egjiptianin të qëndronte në stol për tre ndeshje radhazi në fillim të dhjetorit.
Edhe pse të dyja palët thuhet se i kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, mbeten pikëpyetje rreth statusit të tij. Një shkak tjetër shqetësimi është rënia e tij në formë. Salah ka shënuar vetëm një gol për Reds që nga 1 nëntori i vitit të kaluar.
Sauditët po përgatisin një plan të ‘tmerrshëm’ pas largimit të Ronaldos: Planifikojnë të blejnë 50 yje botërore
Sipas raportimeve nga Arabia Saudite, Al-Ittihad e ka monitoruar Salahun dhe tani është gati ta testojë Liverpoolin me një ofertë që do t’u jepte pronarëve një arsye serioze për ta konsideruar shitjen.
Me Salahun që hyn në vitin e fundit të kontratës së tij në verë dhe mbush 34 vjeç në korrik, tundimi për të fituar para nga një nga lojtarët më të mirë të Ligës Premier mund të jetë shumë i madh, raporton mediumi anglez.
Mendimet e gazetarëve janë të ndara
Largimi i mundshëm i yllit egjiptian këtë verë ka ndarë opinionin në media. Gazetari i shquar David Ornstein pohon se qëllimi i pronarëve ka qenë gjithmonë ta mbajnë Salahun deri në skadimin e kontratës së tij në verën e vitit 2027, kur ai do të largohej si lojtar i lirë. Megjithatë, ai vetë kohët e fundit pranoi se ky plan mund të ndryshojë.
“Pavarësisht pasigurisë së fundit, sulmuesi egjiptian pritet të luajë deri në fund të sezonit në Anfield. Ka shpresë se situata do të qetësohet deri atëherë dhe se ai do ta përfundojë kontratën e tij deri në skadimin e saj në qershor 2027. Megjithatë, nëse problemet vazhdojnë, është e mundur që të merret në konsideratë një largim më i hershëm”, shkroi Ornstein.
Salah nuk dëshiron të jetë rezervë?
Një nga faktorët kryesorë do të jetë koha e lojës, pasi gazetari i informuar Graeme Bailey raportoi më parë se Salah nuk ka ndërmend të bëhet lojtar rezervë në Anfield.
Në tetor të vitit të kaluar, Bailey sugjeroi se Liverpooli po përgatitej tashmë për “kapitullin e fundit” me Salah dhe se klubi kishte filluar të planifikonte të sillte zëvendësuesin e tij.
“Ata tashmë po planifikojnë se kush do ta pasojë atë, qoftë vitin tjetër apo vitin pas tij. Forma e tij nuk është çelësi. Edhe nëse luan shkëlqyeshëm, ekziston mundësia që ai të largohet verën e ardhshme. Mendoj se klubi do ta vlerësojë situatën pavarësisht kësaj. Shitja verën e ardhshme mund t’i përshtatet të gjithëve”, ka thënë Bailey.
Reds sapo kanë shpenzuar pothuajse 400 milionë euro për Hugo Ekitike, Florian Ëirtz, Alexander Isak, Milos Kerkez dhe Jeremie Frimpong, kështu që në verë ata synojnë të bëjnë disa shitje për të kryer blerje tjera të nevojshme.