Guvernatori Ismaili: Besimi dhe stabiliteti financiar e bëjnë Kosovën një partner të besueshëm për investitorët

11:56 | 05 Shkurt 2026
guvernatori-ismaili:-besimi-dhe-stabiliteti-financiar-e-bejne-kosoven-nje-partner-te-besueshem-per-investitoret

Në kuadër të eventit “French Business Day”, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK0, Ahmet Ismaili, tha se Kosova ofron një mjedis financiar dhe ekonomik të qëndrueshëm, duke e bërë vendin një destinacion tërheqës për investimet franceze dhe të huaja.

Ai theksoi se ekonomia e vendit po funksionon mirë dhe rritja ekonomike është e qëndrueshme, megjithëse inflacioni mbetet pak më i lartë për shkak të çështjeve strukturore.

“ekonomia është duke funksionuar mirë, pra kemi një rritje të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik. Inflacioni ka trendin e njëjtë si në BE, mirëpo është pak më i madh, më i lartë për shkak të çështjeve strukturore në vend, por shpresojmë që të kemi një stabilizim aty.

Investimet e huaja direkte janë rritur, pra kemi arritur afër një bilioni nga viti i shkuar dhe kemi një projeksion edhe për vitin e ardhshëm dhe siç e dini jemi të lidhur mirë me tregjet e ndryshme të BE-së dhe BE-ja është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kosovës. E kemi diasporën tonë që jeton aty dhe shumë biznese aty investojnë dhe ne ftojmë edhe bizneset franceze që janë këtu ta bëjnë të njëjtën gjë”, tha ai.

Ismaili vuri në pah stabilitetin fiskal dhe harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së.

“Kosova është një mjedis miqësor për investime me një regjim tatimor atraktiv dhe me një fiskalitet stabil, dhe legjislacioni është, do të thotë, i harmonizuar me BE-në. Është një përkushtim drejt anëtarësimit të Kosovës në BE.

Pra, nga këndvështrimi i stabilitetit, Kosova është stabile financiarisht. Ekonomia e vogël dhe e hapur është diçka që paraqet një objektiv. Sektori bankar dominohet nga bankat e huaja. TEB, BNP Paribas është një nga këto bankat që kontribuojnë në ekonominë e Kosovës dhe sistemin financiar, pra është një kanal i siguruar për investimet që vijnë nga Franca, por edhe nga shtetet e BE-së”, tha ai.

Ai theksoi rolin e institucioneve financiare në sigurimin e stabilitetit dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

“Dhe besojmë që kemi një nga legjislacionet më të fuqishme të vendosura bashkë me disa instrumente mbikëqyrëse për të ofruar stabilitet financiar të sigurt, por edhe kur bëhet fjalë për mbrojtjen e konsumatorëve e kështu me radhë. Pra, bankat kanë kontribuar pozitivisht në standardet e larta që i kemi. Dhe ne kemi misionin e FMN-së dhe ne i përditësojmë me zhvillimet e fundit dhe janë këtu, do të dëgjoni edhe qëndrimet e tyre, javën e ardhshme do të prezantojnë edhe gjetjet e tyre”, tha ai.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e besimit dhe kapaciteteve të tregut të punës për investitorët e huaj.

“Për sa i përket investimeve, është një mjedis miqësor për investime, me legjislacion të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm. Besimi është shumë me rëndësi dhe besoj që kjo është një nga pikat tona më të forta. S’do harruar se kemi një treg të punës me fuqi punëtore të re mund që me kapacitete për të operuar në gjuhë të ndryshme”, tha ai.

Komento: