
Vedat Muriqi ka qenë në vëmendjen e mediave spanjolle gjatë këtyre ditëve, para përballjes me Barcelonën, por jo vetëm.
Edhe klubi katalunas i ka kushtuar vëmendje të veçantë sulmuesit të kombëtares së Kosovës.
Trajneri i Barçës, Hansi Flick e cilësoi Vedat Muriqin si rrezikun kryesor nga Mallorca, dhe e përgëzoi për një sezon fantastik.
Vedat Muriqi është një futbollist shumë i dashur, jo vetëm nga tifozët e tij, por edhe nga tifozët e klubeve të tjera të La Ligës.
Futbollisti kosovar u lavdërua nga tifozë të të gjitha skuadrave për reagimin e tij, këtë herë ndaj një postimi të Barcelonës për Robert Lewandowskin, ku ai ishte përmendur.
Hay pocos delanteros que compitan con Lewy…Y yo no soy uno de ellos 😅😂 pero gracias 🤝 https://t.co/USOIudL6Si
— Vedat Muriqi (@MuriqiVedat) February 6, 2026
Llogaria zyrtare e Barcelonës publikoi një foto të sulmuesit polak me mbishkrimin “Lewy vs. Muriqi”, ndërsa lojtari i Mallorcas nuk hezitoi të reagojë: “Ka pak sulmues që mund të konkurrojnë me Lewy… dhe unë nuk jam një prej tyre, por faleminderit”.
Siç pritej, mesazhi i kosovarit solli një lumë lavdërimesh dhe vlerësimesh.
“Je një legjendë e LaLigës”, “Dëgjo, pirat, do të flas hapur dhe drejtpërdrejt (jam tifoz i Atléticos). Futbolli bëhet i madh nga njerëz si ti. Le të të mbetet kjo. Sepse është zemër, shpirt, pasion, fisnikëri, përkushtim, ndershmëri… Je një nga më të mëdhenjtë e La Ligës”, ishin disa prej tyre.
Vedat Muriqi ka shënuar 15 gola në 22 ndeshje të La Ligës këtë edicion. Ndeshja Barcelona – Mallorca luhet sot, e shtunë, me fillim nga ora 16:15.