Ish-kryetari i Zubin Potokut: Vendimet arbitrare në veri mund të nxisin tensione ndëretnike

12:26 | 07 Shkurt 2026
ish-kryetari-i-zubin-potokut:-vendimet-arbitrare-ne-veri-mund-te-nxisin-tensione-nderetnike

Ish-kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka deklaruar se në këtë komunë deri më tani nuk janë marrë masa për largime nga puna, por ka shprehur shqetësimin se në disa komuna të tjera në veri po ndërmerren vendime që, sipas tij, mund të jenë arbitrare dhe jashtë procedurave ligjore.

Zeqiri, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se në Zubin Potok po bëhen përpjekje për sistemimin e punëtorëve dhe thirrjen e tyre për t’u paraqitur në vendet e punës, por se ende nuk ka vendime konkrete për largime.

Ai theksoi se, sipas informatave që ka për komunat e tjera, veçanërisht për Mitrovicën e Veriut, po flitet për largime të stafit që janë pranuar përmes konkurseve.

“Këto masa çfarë po i lexoj edhe po jam i informuar nga komunat e tjera, do të thotë akoma në komunën e Zubin Potokut nuk kanë fillu me i marrë. Mirëpo ka një përpjekje të sistemimit të punëtorëve, e shoh që, do të thotë, i thërrasin me u lajmëru normal nëpër vendet e punës, po për t’u sistemu akoma nuk është marrë ndonjë hap i tillë. Meqenëse kjo çfarë kam lexuar, do të thotë edhe për komunat e tjera siç është Veriu i Mitrovicës, mendimi im është se ato janë disa vendime arbitrare të themi ashtu, se po merren vendime me i largu njerëzit prej pune që janë pranu me konkurse që nuk ka të drejtë asisoj. Shembull, ka të drejtë komuna të ngrejë, të themelojë komisionin disiplinor dhe natyrisht me përcjellë punën e secilit dhe në qoftë se ka ndonjë neglizhencë pune, ndërmerren masat, merr komisioni disiplinor, jo vendime asisoj”, tha Zeqiri.

Ai shtoi se veprime të tilla, nëse vazhdojnë, mund të prodhojnë tensione ndëretnike dhe se komunat kanë hapësirë për të punësuar staf të ri pa larguar punëtorët ekzistues.

“Sepse unë e shoh shembull këtë sjellje të këtyre, sidomos kjo logjika e Listës Serbe, do të thotë është njëfarë, në qoftë vazhdohet me këto veprime, është njëfarë s’po them hakmarrje, por një neglizhencë edhe këto që prodhojnë urrejtjen ndëretnike që nuk ishte dashtë edhe s’duhet ajo ashtu sepse ka hapësira, do të thotë, unë po flas për komunën e Zubin Potokut, ka hapësira për t’u punësuar, për t’i plotësuar drejtoritë dhe të gjitha që janë në territor. Ka hapësirë për të punësuar punëtorë të rinj, do të thotë zyrtarë të rinj, të themi me profesione të ndryshme dhe nuk ka nevojë të largohet ndonjë staf për shkak se ka nevojë, kanë nevojë komunat për shërbime”, u shpreh ish-kryetari i Zubin Potokut.

Zeqiri thotë se deri më tani, në komunën që ai e drejtoi deri para pak kohësh, nuk janë marrë vendime për largim të stafit, mirëpo “s’do të thotë që s’do të merren ditëve në vijim apo javëve në vijim”.

Ai thotë se kabineti i kryetarit të ri, që vjen nga Lista Serbe, ka komunikim edhe me një pjesë teknike të stafit të punësuar nga ai, që kryesisht janë shqiptarë, por edhe serbë.

Vendosja e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të vendit në vitin 2023 ishte pritur me protesta të dhunshme, duke çuar edhe në ngujimin e tyre në objektet komunale. Në zgjedhjet komunale të 12 tetorit të vitit të kaluar, këto komuna u rikthyen në qeverisjen e kryetarëve serbë nga Lista Serbe.

Komento: