
Sipas Calciomercato, Juventusi ka hequr dorë nga mundësia për të transferuar në formë huazimi sulmuesin brazilian Endrick nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Klubi bardhezi kishte shqyrtuar këtë opsion që në muajin nëntor, për shkak të shqetësimeve lidhur me repartin ofensiv.
Jonathan David dhe Lois Openda, të afruar gjatë verës së kaluar, nuk kishin arritur të përmbushnin pritshmëritë, duke e shtyrë Juventusin të kërkonte një sulmues të ri të tipit “numër nëntë”.
Gjatë këtij procesi, në radar të Juventusit ishin edhe emra të tjerë si Jean-Philippe Mateta, Youssef En-Nesyri dhe Randal Kolo Muani, çka dëshmon urgjencën e klubit për përforcime në sulm.
Sipas raportimeve, ishte rrethi i Endrick që iu afrua Juventusit me propozimin për huazim, por drejtuesit bardhezinj vendosën përfundimisht të mos e pranojnë marrëveshjen.

Arsyeja kryesore lidhej me faktin se huazimi nuk përfshinte një opsion blerjeje, gjë që, sipas Juventusit, do të forconte një aset të një klubi tjetër pa garantuar mundësinë për ta siguruar lojtarin në mënyrë permanente në rast se ai do të shkëlqente.
Pas kësaj, Endrick u transferua te Lyon në formë huazimi të thjeshtë. Sulmuesi 19-vjeçar ka lënë menjëherë gjurmë, duke shënuar pesë gola dhe duke dhënë një asist në pesë paraqitjet e para, çka thekson potencialin që Juventusi zgjodhi të mos shfrytëzojë.
Endrick u ble nga Real Madridi në verën e vitit 2024 për një shifër pak më të ulët se 50 milionë euro, ndërsa ka kontratë me klubin spanjoll deri në vitin 2030, duke mbetur një lojtar për t’u ndjekur me vëmendje edhe në muajt në vijim./Telegrafi/