“Tani luftohet vetëm për vend të dytë” – Luiz Ejlli futet në Big Brother VIP Albania 5

09:12 | 08 Shkurt 2026

Këngëtari Luiz Ejlli është rifutur sërish në shtëpinë e Big Brother VIP Albania 5, duke shkaktuar surprizë të madhe dhe emocion te publiku.

Fituesi i edicionit të dytë të këtij formati është rikthyer për pak ditë në spektakël, megjithatë banorët brenda shtëpisë nuk janë në dijeni të rolit të tij të vërtetë dhe e konsiderojnë atë si një konkurrent të zakonshëm.

Rikthimi i Luizit vjen si pjesë e një avantazhi të veçantë në lojë, pasi ai po futet në shtëpi bashkë me Artanin, i cili më herët hapi “Kutinë e Pandorës”.

Ky veprim i dha Artanit një përfitim strategjik, që solli edhe hyrjen e Luiz Ejllit në lojë, duke e kthyer situatën në shtëpi në një moment tejet interesant.

Në klipin prezantues të shfaqur para banorëve, Luizi nuk ngurroi të bëjë deklarata të forta dhe provokuese. “Të gjithë ata që janë brenda, tani do të luftojnë vetëm për vendin e dytë”, u shpreh ai, duke rikujtuar dominimin dhe karizmën që e shoqëruan gjatë rrugëtimit të tij në edicionin e dytë, ku u shpall fitues absolut.

Rikthimi i Luiz Ejllit pritet të ndikojë ndjeshëm në dinamikën e lojës, të trazojë balancat mes banorëve dhe të sjellë tensione, strategji të reja dhe shumë diskutime, si brenda shtëpisë ashtu edhe jashtë saj.

Publiku tashmë mbetet në pritje për të parë se si do të reagojnë banorët dhe sa do të zgjasë ky rol surprizë i fituesit legjendar të Big Brother VIP Albania.

Komento: