
Mërgimtari nga Italia Rilind Krasniqi ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook duke deklaruar se është maltretuar gjatë kalimit transit nëpër Serbi.
Sipas tij, gjatë kontrollit nga autoritetet serbe atij i është marrë telefoni ku i janë gjetur fotografi të babait të tij i cili ishte ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe fotografi të figurave të njohura të luftës, përfshirë Adem Jasharin, Mujë Krasniqin dhe Vesel Aruçin.
“Sot kalova nëpër Serbi, kisha një kohë që s’kam kaluar në këtë tokë dhe sot jam bastisur nga disa çetnikë serbë. Ata më gjetën foto në telefon edhe në Facebook të babës tim që ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare, foto të Adem Jasharit, foto të Vesel Arucit, foto e Mujë Krasniqit”, ka shkruar ai në reagimin e tij në Facebook, raporton IndeksOnline.
Krasniqi ka bërë të ditur se kontrolli ka zgjatur rreth një orë i janë konfiskuar gjëra personale, përfshirë edhe një shumë prej 2,500 eurosh.
Në fund të reagimit, ai ka apeluar qytetarët që të shmangin kalimin nëpër Serbi.