
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hyn sot në fazën përfundimtare, me nisjen e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe dëshmive nga Prokuroria dhe Mbrojtja, kjo fazë shënon hapin e fundit para vendimit përfundimtar të trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen gjatë periudhës 9-18 shkurt, ku fillimisht fjalën do ta ketë Prokuroria, për t’u pasuar nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, ndërsa në fund pritet edhe fjala e të akuzuarve, nëse ata vendosin të deklarohen. Në një njoftim zyrtar, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për këtë fazë të rëndësishme të procesit gjyqësor.
“Të gjitha konfirmimet i janë dërguar personave që do të ndjekin seancën e deklaratave përmbyllëse në objektin e DHSK-së në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, që është caktuar të mbahet më 9-13 shkurt”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Po ashtu, nga DHSK është bërë e ditur se interesimi për të ndjekur seancat ka qenë jashtëzakonisht i lartë, ndërsa vendet për publikun kanë qenë të kufizuara.
“Jemi përpjekur që t’i përgjigjemi të gjitha kërkesave për t’u ulur në galerinë për publikun sa më shumë që ishte e mundshme, megjithatë, interesimi për të ndjekur seancat ishte i lartë dhe prandaj vendet në galerinë për publikun ishin të kufizuara”, thuhet më tej në njoftim.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.
Faza përfundimtare e gjykimit konsiderohet vendimtare, pasi pas saj trupi gjykues do të tërhiqet për shqyrtim dhe më pas do të shpallë aktgjykimin, i cili pritet të ketë jehonë të madhe politike dhe shoqërore në Kosovë dhe më gjerë. /Telegrafi/