Presidentja Osmani: Rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së është e pandalshme, marrëdhëniet me SHBA po thellohen

10:26 | 09 Shkurt 2026
presidentja-osmani:-rruga-e-kosoves-drejt-nato-s-dhe-be-se-eshte-e-pandalshme,-marredheniet-me-shba-po-thellohen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për median britanike Monocle, ka folur për përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe për thellimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke folur për angazhimin e Kosovës në politikën ndërkombëtare dhe integrimin në strukturat euro-atlantike, presidentja Osmani tha se nuk kemi dilema për rrugën tonë euro-atlantike.

“Ne nuk kemi kurrë dilema për rrugën tonë euro-atlantike. Rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian është e pandalshme. Identiteti ynë euro-atlantik është i patjetërsueshëm dhe nuk do të lëkundet kurrë”, u shpreh Osmani.

Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes amerikane historike dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.

“Marrëdhënia që kemi me SHBA-në ka qenë gjithmonë ekzistenciale. SHBA-ja udhëhoqi botën për të na shpëtuar dhe na dha mundësinë të jetojmë në liri dhe demokraci. Kosova është bërë një nga historitë më të mëdha të suksesit të politikës së jashtme amerikane”, tha ajo.

Presidentja përmendi dy fusha kryesore të bashkëpunimit të zgjeruar me SHBA-në. mbrojtjen dhe ekonominë.

“Në aspektin e mbrojtjes, është shumë e rëndësishme që të kemi kapacitete të mjaftueshme për sigurinë tonë, sidomos duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme në rajon. Në ekonomi, kemi potencial të madh për investime amerikane. Kur investoni në Kosovë, po investoni në qindra miliona qytetarë evropianë, me një sistem ligjor dhe financiar të shkëlqyer dhe me një vend pro-amerikan”, tha Osmani.

Duke folur për sfidat e integrimit në BE, Presidentja Osmani tha se pavarësisht që Kosova ende nuk e ka marrë statutin e kandidatit për BE, rruga jonë drejt vlerave euro-atlantike nuk do të ndryshojë

“Ne jemi 100% të përputhur me BE-në dhe NATO-në në çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë. Megjithatë, ende nuk kemi status kandidati për Bashkimin Evropian për shkak të disa konsideratave politike brenda disa vendeve të BE-së. Por durimi ynë nuk do të shkurtëzohet – rruga jonë drejt vlerave euro-atlantike nuk do të ndryshojë”, tha Osmani.

Presidentja Osmani gjithashtu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, si një partner i rëndësishëm ndërkombëtar.

“Që nga viti 1999, kur përjetuam luftën gjenocidale, Emiratet e Bashkuara Arabe na mbështeti të rindërtojmë vendin nga hiri. Tani na mbështesin në sektorin e shëndetësisë dhe shumë sektorë të tjerë. Kjo mbështetje është jetike për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës”, tha Osmani.

Kujtojmë se presidentja Osmani javën që shkoi ishte pjesëmarrëse në Samitin Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe./Telegrafi/

Komento: