Dakordimi për t’i votuar në pako nënkryetarët, Cakolli për VV’në: Vitin e kaluar u kundërshtua nga ata që po e shtyjnë përpara

03:39 | 11 Shkurt 2026
dakordimi-per-t’i-votuar-ne-pako-nenkryetaret,-cakolli-per-vv’ne:-vitin-e-kaluar-u-kundershtua-nga-ata-qe-po-e-shtyjne-perpara

Kryetari i legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se ka pasur konsensus që nënkryetarët të votohen në pako.

“Propozimi i tyre ka qenë i qartë që të shkohet në votim në pako, pra pakoja e nënkryetarëve të votohet, e pesë nënkryetarëve bashkë. Ka pas konsensus për votimin e kryetarit/es, nënkryetarëve”, ka thënë Basha.

Për këtë ka reaguar Eugven Ckolli nga KDI, duke thënë se kjo mënyrë votimi është në përputhje me kuadrin kushtetues.

Kjo pasi siç thekson ai Gjykata Kushtetuese e ka lënë teknikën e votimit në diskrecion të vetë Kuvendit, për sa kohë respektohen të drejtat e propozimit dhe shumica e nevojshme për zgjedhje.

“Për më tepër, votimi në pako ka logjikë të qartë institucionale dhe ka qenë zgjidhje funksionale edhe në të kaluarën. Kjo shpejton konstituimin dhe e detyron përgjegjësinë politike të ndahet mes të gjitha grupeve parlamentare. Megjithatë, ironikisht, pikërisht kjo praktikë që e patëm kërkuar vitin e kaluar ishte kundërshtuar nga ata që sot e shtynë përpara, madje ishte paraqitur si problem parimor. E gjithë kjo, tregon se praktikat parlamentare marrin kuptim nga mënyra si përdoren. Kur shërbejnë për ta çuar përpara konstituimin dhe funksionimin e Kuvendit, ato mbeten mjete legjitime të rendit parlamentar”, ka thënë Cakolli

Komento: